Kuvendi miratoi Projektligjin për zyrtarët publikë

(Lajm i përditësuar)

Kuvendi miratoi Projektligjin për zyrtarët publikë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin për zyrtarët publikë. Në seancën e sotme, të zgjedhurit e popullit zgjodhën edhe Batisha Ibrahimi anëtare në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit(OShP). Krahas kësaj, deputetët e mazhorancës miratuan rezolutën për vlerësimin e punës së Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022.

Ndërkaq, dështuan të miratojnë Projektligjin për provimin e maturës shtetërore, pasi s’pati kuorum në vendimmarrje për shkak se disa deputetë të LVV-së nuk morën pjesë fare në votim.Kuvendi në seancën e sotme dështoi të miratojë edhe marrëveshjet ndërkombëtare, pasi deputetët opozitarë lëshuan sallën plenare.

Pas përfundimit të këtyre pikave, kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci mbylli punimet e seancës së sotme plenare.


Kuvendi emëron anëtarin e Bordit të OSHP-së

Kuvendi ka emëruar anëtarin e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Me 59 vota është zgjedhur anëtare Batisha Ibrahimi.

Qeveria pati propozuar dy kandidatë – Batisha Ibrahimi dhe Meriton Zika – për pozitën e një anëtari të Bordit. Kjo pasi Kimete Gashi ishte shkarkuar nga pozita e anëtares me propozimin e Qeverisë, për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.


​Opozita lëshon sallën gjatë trajtimit të marrëveshjeve ndërkombëtare

Lidhja Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje partive politike që të lëshojnë sallën ku po mbahet seanca plenare. Kjo pas dështimit që të mbahet debat parlamentar për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se partia në pushtet nuk i ka votat për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se nuk mund të trajtohen marrëveshjet ndërkombëtare, meqë nevojiten 80 deputetë të jenë të pranishëm dhe të votojnë.

Paraprakisht, deputeti Driton Selmanaj u bëri thirrje edhe partive të tjera opozitare që të lëshojnë sallën e Kuvendit të Kosovës.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha se opozita po bllokon 300 milionë euro mjete nga marrëveshjet ndërkombëtare.


Murati kërkon nga deputetët që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

 

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka kërkuar nga deputetët që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas tij, janë 300 milionë euro të cilat po presin dritën e gjelbër nga kuvendi, për çka tha se është e rëndësishme që të mundësohet përdorimi i tyre. Para votimit të një sërë marrëveshjeve ndërkombëtare, ai edhe një herë ka lutur opozitën për mbështetjen me votë të tyre.

Në seancë plenare, ai është pyetur nga deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri lidhur me inspektorët e punës. Murati u shpreh se që nga marrja e mandatit kanë dyfishuar numrin e tyre.

 


Kryeziu-Hyseni: Jemi fare pranë vendimit për largimin e masave ndaj Kosovës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni tha se Kosova është pranë vendimit për largimin e masave nga Bashkimi Evropian. Sipas saj, rezultati i zgjedhjeve në veri të vendit shënon zbatimin e plotë të marrëveshjes së Bratisllavës nga ana e Kosovës.

Kështu u shpreh ajo në seancë plenare, teksa theksoi se asnjëherë më parë nuk ka pasur shtrirje më të madhe të sovranitetit në veri.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu Hyseni theksoi se Kosova është pranë vendimit për largimin e masave ndëshkuese.


Votimi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, Bogujevci falënderon edhe opozitën

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar opinionin e raportueses Dora Bakoyannis e cila rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE, gjersa fjalën e fundit për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës do të japë Komiteti i Ministrave në muajin maj.

E lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE dhe votën pro në Asamblenë Parlamentare ka folur sot nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, njëherësh kryesuese e delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare.

“Kjo është një arritje e madhe dhe historike për vendin tonë dhe demokracinë. Kjo është fitore e Republikës e themeluar mbi vlera demokratike ku respektohen të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Ky është rezultat i punës dhe angazhimit të përbashkët të delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilët kanë punuar pa ndalë dhe me përkushtim në qëllimet tona të përbashkëta…”, tha ajo.


Gashi: Pozita ka sabotuar punët me mbikëqyrjen institucionale

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka hedhur akuza ndaj pozitës, duke thënë se ka pamundësuar punët që kanë të bëjnë sipas tij, me mbikëqyrjen institucionale.

Gashi, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se shkaku i pozitës po duhet t’i referohen institucioneve të huaja për problemet e vendit.

“Ky institucion më së paku është institucion përfaqësues, shumë pak është institucion mbikëqyrs, sepse qëllimisht kjo shumicë parlamentare ka pamundësuar funksionin mbikëqyrës të këtij kuvendi, duke sabotuar çdo punë që ka të bëjë me mbikëqyrjen institucionale, njëra prej shtyllave kryesore të parlamentarizmit dhe duke rritur shkallën e mosbesueshmërisë dhe konfliktit brenda këtij institucioni”, u shpreh Gashi.


PDK kërkon debat parlamentar në lidhje me të gjeturat e raportit të DASh-it

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar në emër të partistë një debat parlamentar në lidhje me të gjeturat e raportit të DASh-it.

Siç tha ai, DASh ka prezantuar një raport që sipas tij, ka të gjetura shqetësuese.

“Kërkojmë nga seanca që të plotësohet rendi i ditës me mocion nëpërmjet së cilës të plotësohet me debat parlamentar në lidhje me të gjeturat e raportit të DASh-it. DASh ka prezantuar një raport që ka të gjetura shqetësuese për qeverinë dhe institucionet e Kosovës. Një përshkrim ku tashmë kemi një korrupsion serioz, ku përshkruhet edhe numri i saktë i ministrave që janë të përfshirë në afera korruptive”. tha Tahiri.


Kuvendi sot mban seancë plenare

Kuvendi i Kosovës nga ora 10:00 sot do të mbajë seancë të re plenare ku përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare në rend dite është votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe shqyrtimi i disa të tjerave.

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ka dështuar disa herë radhazi si pasojë e mungesës së konsensusit pushtet – opozitë.

Si pasojë e mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, ministrat disa herë kanë refuzuar t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve.

Kuvendi në seancën e së enjtes do të shqyrtojë në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, Projektligjin për provimin e maturës shtetërore si dhe Projektrezolutën për vlerësimin e punës së Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022.

Gjithashtu Kuvendi pritet të emërojë një anëtar të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Back to top button