Opozita lëshon seancën: Më nuk marrim pjesë në seanca derisa …

Mocioni për futjen në rend të ditës formimi i Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike, nuk ka kaluar, pasi vetëm 33 deputetë kanë votuar për.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se ky mocion mbetet për seancën e ardhshme.
Kjo ka shkaktuar pakënaqësi tek deputetët e opozitës, të cilët kanë lëshuar seancën, duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.
Para se të hidhej në votim, Konjufca ka thënë se do t’i japë të drejtë pjesërisht opozitës për futjen në rend të ditës për formimin e Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike.
“Unë dua t’i jap të drejtë pjesërisht opozitës, sepse atëherë kam qenë kryetar i Grupit Parlamentar kur na është mohuar kjo çështje dhe kam dalë dhe kam thënë që ka qenë gabim dhe e padrejtë. Për të qenë në konsistencë me këtë qëndrim timin po i jap të drejtë opozitës”, ka thënë Konjufca.
Seanca është duke vazhduar me pikat tjera në rendin e ditës./21Media

Back to top button