Optimizëm për agjendën legjislative të qeverisë, projektligjet kryesore konsiderohen ato për drejtësinë

 

Ani pse kanë mbetur rreth 200 ditë deri në përfundimin e vitit 2021, Qeveria Kurti II po synon të miratojë 192 projektligje gjatë këtij viti. Në partinë në pushtet janë optimist për përmbushjen e agjendës legjislative, por një gjë të tillë nuk e presin monitoruesit e punës së Kuvendit të Kosovës. Derisa, projektligjet më të rëndësishme vlerësohen ato që ndërlidhen me sistemin e drejtësisë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetari i Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Adnan Rrustemi tha për Kp se marrë parasysh shumicën e konsoliduar në Kuvend nuk pret ndonjë pengesë për shqyrtimin dhe miratimin e këtyre projektligjeve.

Megjithatë, ai shtoi se disa prej tyre mund të shqyrtohen vitin e ardhshëm.

“Plani legjislativ është ambicioz, por ambicioz është edhe programi qeverisës për të jetësuar zotimet dhe synimet që ka politike dhe qeverisës. Marrë parasysh shumicën e konsoliduar që ka mazhoranca në Kuvend nuk ka asnjë pengesë që të shqyrtohen dhe miratohen këto projektligje”, tha ai.

Por, Ylli Zeka nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) po e sheh të pamundshme realizimin e agjendës legjislative gjatë këtij viti.

Ai tha për kp se ekzekutivi është dashur të vendosë prioritete se cilat projektligje duhet patjetër të shtyhen përpara gjatë këtij viti.

“Është mjaft ambizioze, ne kemi në këtë program legjislativ të qeverisë 192 ligje, derisa e dina që nuk i kemi edhe 192 ditë deri në përfundimin e këtij viti. Kjo tregon që është e pamundshme të realizohet e njëjta. Ne besojmë se qeveria është dashur të ketë prioritete cilat ligje, cilat projektligje duhet të aprovohen këtë vit në mënyrë që të përmbushë programin e vet legjislativ dhe jo vetëm të dërgojë një numër aq të madh të ligjeve, pasi nuk ka mundësi të aprovohen dhe trajtohen gjatë këtij viti”, tha ai.

E lidhur me projektligjet më të rëndësishme, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tha se ato që kanë të bëjnë me zotimet esenciale që ndërlidhen me vetingun dhe konfisikimin e pasurisë se pajustifikueshme janë prioritare.

“Në kuptimin përmbajtjesor, projektligjet që kanë të bëjnë me zotimet esenciale tona, sa i përket vettingut, sa i përket konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme janë projektligjet më të rëndësishme. Natyrisht edhe projektligjet tjera që reflektojnë një lloj vazhdimësie të çështjeve të adresuara, por s’kanë marrë përgjigje dhe epilog në legjislaturat e kaluara janë të rëndësishme. Por ato që ndërlidhen drejtpërdrejt me programin qeverisës në aspektin përmbajtjesor janë primare. Por kjo nuk i devalvon projektligjet tjera. Kosova ka nevojë edhe për një projektligj për Qeverinë e Kosovës, ka nevojë të rregullojë edhe financimin e subjekteve politike. Por në mënyrë adekuate dhe të saktë”, tha ai.

Mendim të njëjtë ndau edhe Yll Zeka nga IKD.

“Ne konsiderojmë se pako e ligjeve për gjyqësorin është prioritet i qeverisë Kurti. Projektligji për Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial procedurën disiplinore të gjyqtarëve dhe ligjet sistemore kodin e procedurës dhe kodi penal i Kosovës. Pastaj ajo që duhet të trajtohen me urgjencë është ligji për vetingun, por gjithmonë pasi të shqyrtohet mundësia e ndryshimeve dhe amendamentimeve kushtetuese për t’i hap rrugë ligjit. Këto për sferën e drejtësisë mendoj se do të ishin urgjentë për këtë vit që ky vit të përmbyllet me pakon e ligjeve të gjyqësorit”, tha ai.

Krahas kësaj, ai tha se ekzekutivi duhet të fokusohet edhe tek projektligji për Qeverinë, reformën zgjedhore dhe financimin e partive politike.

Përmbushja e agjendës legjislative ka qenë e mangët në tri qeveritë e kaluara./kp

Back to top button