Ora e parë e mësimit në shkollat e Kosovës sot i kushtohet “Epopesë së UÇK-së”

Për nder të  25 vjetorit të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, në të gjitha shkollat e Kosovës sot ora e parë ka filluar me historinë e “Epopesë së UÇK-së”.
Me rastin e 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, mësimdhënësit iu shpjeguan nxënësve historinë dhe sakrificat e kombit shqiptar. Me këtë rast edhe nxënësit patën mundësinë të tregojnë rrëfimet personale që kanë dëgjuar nga familjarët e tyre.
Ekipi i KosovaPress-it vizitoi sot shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë, për të parë nga afër zhvillimin e orës së parë kushtuar Epopesë së UÇK-së.
Mësimdhënësja e kësaj shkolle, Valbona Vitija-Ajeti tha për KosovaPress se për 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, nxënësit janë njoftuar më shumë për sakrificën e familjes Jashari. Derisa shtoi se tashmë kjo datë është bërë traditë që ora e parë t’i kushtohet kësaj ngjarje.
Edhe mësimdhënësja, Vjosa Zagragja Salihu, tha se nxënësit janë të etur të dinë sa më shumë për historinë e vendit.
Qindra qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare dje vizituan Prekazin, teksa disa prej tyre theksuan se Prekazi është vend frymëzues dhe se kontributi i familjes Jashari nuk mund të shprehet me fjalë.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje./21Media
 

Back to top button