Kërcënimet nga “Severna Brigada”, Sveçla: Armiqtë do të japin llogari para ligjit

(Lajm i përditësuar)
Armiqtë do të përfundojnë gjithmonë duke dhënë llogari para ligjit, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, derisa ka komentuar kërcënimet me jetë që i janë bërë nga organizata terroriste “Severna Brigada”.
Ai ka thënë se ndjehet jashtëzakonisht i sigurt falë Policisë së Kosovës dhe profesionalizimit të saj.
Teksa është deklaruar sot për kërcënimet që organizata terroriste serbe “Severna Brigada” i ka bërë të martën atij dhe kryeministrit Albin Kurti, Sveçla ka thënë po ashtu se është Policia e Kosovës që garanton qetësi dhe që institucionet të punojnë të sigurta.
“Unë ndihem jashtëzakonisht i sigurt, mu falë Policisë së Kosovës dhe profesionalizimit të tyre, pra, sukseset e PK-së, ajo që na garanton që qytetarët të kenë jetë të qetë, e institucionet të punojnë të sigurta. Patjetër, se në luftën tonë për drejtësi, për rend dhe ligj, gjithmonë do të ketë armiq të kësaj lufte, të cilët në një mënyrë apo tjetër do të godasin institucionet e Kosovës. Mos të harrojmë se edhe vet PK ka policë të rënë në detyrë, të cilët nuk janë në mesin tonë për të festuar, por janë familjaret e tyre, të cilëve jua uroj ditën e Policisë. Punët vazhdojnë, armiqtë tanë do të përfundojnë gjithmonë duke dhënë llogari para ligjit”, tha ai.
Këto komente ministri Sveçla i bëri me rastin e vizitës që iu bëri njësiteve dhe pajisjeve të policisë në sheshet “Skënderbeu” dhe “Ibrahim Rugova”, me rastin e 24-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Organizata terroriste serbe “Severna Brigada” kërcënon edhe Kurtin
Profili i organizatës terroriste “Severna Brigada” ka kërcënuar mbrëmë edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, duke thënë se kanë armatim “me tonelata”.
Profili i kësaj organizate ka shpërndarë mbrëmë në Facebook një fotografi të një arme të llojit “snajper”, sipër se cilës kanë shkruar “Kurti, këso kemi me tonelata”.
Dje (e martw), “Severna Brigada” ka kërcënuar edhe ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, pas njoftimit për zbulimin e një sasie të madhe të armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore e eksploziv në Zveçan.
Ata kanë kërcënuar hapur Sveçlën duke i shkruar publikisht në Facebook se “Unë personalisht do të të dënoj (likuidoj), vetëm momenti pritet”.
Sipas burimeve të KosovaPress-it, ky profil përmes të cilit është kërcënuar ministri Sveçla është vërtetë i organizatës terroriste “Severna Brigada” (Brigada e Veriut).