“Ose vendi i punës, ose shtatzënia”, dilema jetësore e grave kosovare!

 
Kur aplikoi për punë M.N (emër i njohur për redaksinë) ishte në muajt e parë të shtatzënisë, por një gjë të tillë nuk guxonte t’ua tregonte eprorëve të saj.
Kjo ngase shtatzënia do t’i bëhej problem për ta fituar atë vend pune, si menaxhere në një rrjet marketesh në Kosovë.
Ashtu siç tregon për portalin rtv21.tv gruaja në fjalë, pyetjet në intervistën me gojë ishin diskriminuese.
“Kam aplikuar për trajnim,me kanë thirrur në test, pataj në intervistë, ndër të tjera me kanë pyetur a ki fëmijë?, a ka kush të përkujdeset për ta?, a të mbetet mendja te ta e nuk mundesh të iu përkushtohesh punës?, a planifikon shtatzëni? U përgjigja: Qysh është shkruar, pastaj pasoi komenti i intervistues: Po kjo ndikon në punë se senet ndryshojnë deri të kthehesh ti s’mundesh me nxa hapin… , u përgjigja: Ama bash nënat kanë nevojë me punu për shkak të shpenzimve,….” rrëfen M.N duke shtuar se dy intervistuesit ishin femra.
E zhgënjyer tej mase me atë që kishte ndodhur, M. N thotë se është thirrur nga kompaina për ta filluar punën.
“Kur me kanë thirrur mua para tjerëve se iu ka dasht urgjent një punëtor për Komoran, ma kanë dha atë letrën që ua u japin punëtorve, ndër tjerash me rregulla kish qenë edhe për shtazëna e për pushime të lindjes që d.m.th i respektojnë në teori,” rrëfen ajo.
M.N kishte fituar vendin e punës dhe kishte dalë ndër më të mirat në teste, por siç thekson ajo me të vërejtur se është shtatzënë kanë filluar që të gjejnë vërejtje në punën e saj.
“Dikur më vonë është marrë vendim që pas një muaji testues në Komoran në dal mirë me vazhdu nëse jo me ndërpre. D.m.th kjo ka qenë mënyra qysh me më larguar pa therrë në këmbë.”, thotë M.N
Sipas saj kur erdhi koha që ta firmosë kontratën, menaxheri ka dhënë disa arsyetime e ndër to ka qenë si arsye edhe shtatzënia e saj.
“Jo duhet me pyet në Prishtinë jo më duket s’po marrim punëtor,edhe ti shtatzënë taman të adaptohesh duhesh me shku në pushim e mbesin punët në gjysmë, tani duhet me të thirr në tel shpesh prej shtëpisë e këso gjërash, edhe ma kanë përmbyllur kontratën, bile-bile as krejt paratë çka kanë pasë me mi qit s’ mi qiten, veç me hy me avokat thojsha më shkojnë edhe më shumë dhe e lash krejt”, përfundon rrëfimin M.N.
Fatin e saj kanë edhe gra tjera në Kosovë. Drejtoresha e Agjencisë Për Ndihmë Juridike Falas, Anita Alaj Kalanderi, për portalin rtv21.tv ka pohuar se ka raste të tilla, megjithatë kjo agjenci nuk ka të dhëna të sakta që tregon numrin e grave që kanë kërkuar ndihmë.
“Është pak e vështirë të nxjerrim një raport të tillë për arsye se databaza që posedon ANJF-ja nuk mundë të gjeneron një raport të tillë. Po në bazë të dhënave që posedojmë në përgjithësi për këtë periudhë (2008-2021) kohore mund të potencojmë se humbja e vendit të punës për shkak të shtatzënisë, apo të drejtat që parasheh ligji i punës për këtë kategori, këto të drejta më shumë nuk respektohen apo shkelen nga sektori privat. Në institucionet publike kjo e drejtë mund të themi se respektohet dhe zbatohet, ne mund të deklarojmë se një përqindje shumë e vogël e këtyre rasteve kërkojnë ndihmë juridike falas në ANJF.”, ka treguar ajo.
Sa i përket kësaj dukurie, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka ngritur alarm duke e cilësuar si diskriminim ndaj gruas
Ai për portalin rtv21.tv ka thënë se një ndër faktorët kyç i  këtij diskriminimi është mos-implementimi i Ligjit mbi Sigurime Shëndetësore.
“Është nevojë urgjente, në rend të parë për një dialog të mirfilltë publiko-privat , në rend të dytë për një partneritet gjithë-relevant dhe sa më shpejt të bëhet një ligj i tillë me siguri pozita e femrës qoftë në sektorin privat qoftë në atë publik do të jetë shumë më e avancuar dhe më e merituar”, ka vlerësuar Gërxhaliu, duke shtuar se nevojiten edhe kambanja vetdijësuese.
Ai ka ka bërë thirrje se duhet të punohet në këtë drejtim për të parandaluar rënien e natalietit dhe migrimit, pasi që sipas Gërxhaliut kjo është me e keqja që mund t’i ndodhë Kosovës. “Është e arritura më e madhe e armiqëve të Kosovës”, ka thënë Safet Gërxhaliu.
Portali rtv21.tv ka provuar të marrë të dhëna nga inspektoriati i punës për numrin zyrtar të grave që janë larguar nga puna vetëm pse kanë qenë shtatzënë dhe dënimet që kanë marrë kompanitë, por që nuk ka marrë përgjigje./21Media

Back to top button