Osmanaj: Janë mbyllur përkohësisht mbi 50 laboratorë nën dyshimet për falsifikim të testeve COVID-19

Mbi 850 inspektime janë kryer nga Inspektorati Shëndetësor gjatë vitit 2021 në institucionet ku ofrohen shërbime për COVID-19.
Shaban Osmanaj, zëvendës i kryeinspektorit shëndetësor, i ftuar në “Kallxo Përnime” ka thënë se janë mbyllur mbi 50 laboratorë ku ka pasur dyshime se janë falsifikuar testet COVID-19.
Sipas Osmanajt në disa laboratorë ka pasur shkelje të tilla ku ka ekzistuar rezultati i testit, por që nuk ka qenë i regjistruar si pacient në regjistër.
“Inspektorati Shëndetësor ka marrë një sërë veprimesh, ka kryer inspektime në mbi 60 laboratorë privatë. Nga inspektimet ka rezultuar që kallëzimet kanë qenë të sakta. Janë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Inspektimet janë kryer në bashkëpunim edhe me organet hetuese të krimeve ekonomike dhe inspektoratet tjera. Në 52 raste kemi gjetur qoftë rezultate të falsifikuara, qoftë kur është deklaruar se është kryer testi, por që në fakt nuk është kryer, qoftë mos deklarim të drejtë”, ka deklaruar Osmanaj.
Gjithashtu, ai në debat ka deklaruar se laboratorët janë mbyllur përkohësisht e po ashtu edhe janë shqiptuar gjoba.
“Në dhjetë laboratorë kemi gjetur shkeljet më flagrante, kur bashkëqytetarët kinse kanë kryer testet por që nuk kanë qenë të regjistruar, kanë qenë fiktive. Janë shqiptuar gjoba, është mbyllë institucione përkohësisht, mbi 50 janë mbyllë. Inspektorati mund t’i ndalojë përkohësisht veprimtarinë, por nuk ka kompetencë ta mbyllë institucionin”, ka shtuar më tej Osmanaj./kallxo

Back to top button