​Osmani: Anëtarësimi në KiE garanton të drejtat e qytetarëve pa dallim

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin britanik në Prishtinë Jonathan Hargreaves me të cilin ka diskutuar mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në prag të votimit nga Asambleja Parlamentare e kësaj organizate.

Kreu i vendit tonë me këtë rast vuri theksin te rëndësia e anëtarësimit në KiE për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim.

Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Britanisë së Madhe në këtë drejtim, ndërsa ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetje në këtë momentum të rëndësishëm për shtetin dhe qytetarët tanë.

Komiteti i Asamblesë Parlamentare të KiE miratoi në mars 2024 opinionin e raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.

Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion javën e ardhshme, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta jep Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje në muajin maj.

Kosova ka aplikuar në maj 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi i saj kundërshtohet nga Serbia.

Back to top button