Osmani dekoron Sulejman Gashin me Medaljen Presidenciale të Meritave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzoi sot familjes së gazetarit Sulejman Gashi, Medaljen Presidenciale të Meritave, me të cilën ajo e ka dekoruar Gashin pas vdekjes së tij.
Në ceremoninë e organizuar sot, në prani të familjarëve dhe të miqve, Osmani tha se medalja e ndarë për gazetarin është shprehje e mirënjohjes shtetërore për kontributin e çmuar të cilin  Gashi, si gazetar e aktivist shumëvjeçar e ka dhënë për dhjetëvjetësha të tërë për shpërndarjen gjithandej të së vërtetës së Kosovës.
Presidentja Osmani theksoi se Gashi ka qenë burim i së vërtetës për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një afirmues i së drejtës së saj për liri.
“Ai ishte zëri i Kosovës. Ne sot po e institucionalizojmë kujtesën për të duke e dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin shumëvjeçar në pasqyrimin e së vërtetës së Kosovës e për të në arenën ndërkombëtare”, theksoi Osmani.
Familjarët e Sulejman Gashit, por edhe bashkëpunëtorët e tij të pranishëm në ceremoni shprehën mirënjohje ndaj presidentes Osmani për kujdesin që po tregon ndaj personaliteteve të cilat kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe e falënderuan atë për dekoratën të cilën presidentja ia ka ndarë Gashit./21Media

Back to top button