Osmani dhe Kurti në SHBA për marrëveshjen e MCC-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, kanë udhëtuar për në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.
“Në këtë vizitë do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në vlerë prej 236.7 milionë dollarë, për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë. Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Objektiv tjetër i projektit është edhe zhvillimi i shkathtësive në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë”, thuhet në njoftim.
Gjatë qëndrimit në Uashington, Osmani dhe Kurti do të zhvillojnë edhe takime të tjera bilaterale.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në udhëtim me Osmanin e Kurtin është edhe ministrja e e Ekonomisë, Artane Rizvanolli./21Media