Osmani: Duhet të lehtësohen procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombasit tanë nga Lugina

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, në mes të tjerash ka përmendur edhe çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen me diskriminimin mbi baza etnike.
“Kam kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave të tyre me qëllim ndryshimin e demografisë. Shumë nga shqiptarët e këtyre komunave tani janë pa shtetësi e pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre themelore”, ka theksuar ajo.
Më tej, ajo ka thënë se është angazhuar për lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë së Kosovës për banorët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.
“E kur jemi te shtetësia, ka qenë e pafalshme që për vite të tëra, procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë që vijnë nga kontinente të largëta. Prandaj, kam propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombasit tanë nga Lugina dhe shpresoj që ky propozim do të përkrahet nga ju sapo të vijë në Kuvend”, ka thënë ajo.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?