Osmani e Begaj vlerësojnë lart “marrëdhëniet vëllazërore” mes Kosovës e Shqipërisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj, i cili do të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë.

Në një konferencë për media pas takimit, Osmani falënderoi shtetin shqiptar për përkrahje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se së bashku me liderët e tjerë të Shqipërisë do të sigurohet që Kosova ta ketë përkrahjen e vazhdueshme.

Ajo tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi në strukturat euro-atlantike dhe se për këtë do ta ndjekë shembullin e Shqipërisë.

Ajo shtoi se çdo sukses i Kosovës është edhe sukses i Shqipërisë si dhe anasjelltas.

“Kurrë nuk është e tepërt që në emër të popullit të Kosovës të shpreh mirënjohje të thellë për gjithçka që Shqipëria ka bërë dhe po vazhdon të bëjë për Republikën tonë edhe në kohë të vështira. Por, edhe përderisa kemi festuar të gjitha të arriturat në shtetin tonë. Këto ditë, siç e dini Kosova po përballet me një sfidë të re, është ajo e përpjekjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës siç e thashë edhe më herët, për ne kjo mbi të gjitha është edhe kauzë për më shumë të drejta të njeriut për të gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie, religjioni apo backgroundi tjetër. Prandaj, jemi të bekuar që në çdo hap të këtij procesi kemi pasur përkrahen e fuqishme të Republikë së Shqipërisë, për çka edhe njëherë ju falënderoj…Së bashku me presidentin Begaj, kryeministrin Rama, gjithë liderët dhe përfaqësuesit shqiptarë do të vazhdojmë që të sigurohemi që Kosova ta ketë përkrahjen e nevojshme në këtë organizatë ku në fakt e ka merituar të jetë që nga viti 2010 e tutje. Synimi ynë është integrimi i plotë në strukturat euroatlantike, në këtë rrugë natyrisht do të ndjekim edhe shembullin e Shqipërisë, anëtare e suksesshme e NATO-s, me një mandat tashmë jashtëzakonisht të suksesshëm edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Çdo sukses i Kosovës është edhe i Shqipërisë, çdo sukses i Shqipërisë është edhe i Kosovës”, tha Osmani

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, duke vlerësuar raportet mes dy vendeve, tha se marrëdhëniet janë vëllazërore dhe se e kanë për detyrë për të qëndruar afër në çdo moment.

Në fjalën e tij, Begaj u zotua se Shqipëria do të vazhdojë të jetë mbështetëse e Kosovës në politikën e jashtme, duke përmendur njohjet e reja dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Kreu i shtetit shqiptar gjithashtu foli edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se ai shpreson se votimi do të jetë në favor të Kosovës.

“Marrëdhëniet në mes dy shteteve janë marrëdhënie siç duhet të jenë vëllazërore, ne jemi dy shtete, një komb dhe e kemi për detyrë për të qenë njëri tjetrit afër në çdo moment. Natyrisht marrëdhëniet ndërkombëtare një nga vlerat e Shqipërisë është që politika jonë e jashtme është e linjëzuar me atë Evropiane dhe Euroatlantike. Duke qenë pas një mandati në Këshillin e Sigurimit, duke mbrojtur vlerat njerëzore, Shqipëria e ka për detyrë dhe do të bëjë gjithmonë këtë detyrë të jetë avokate mjaftë e mirë e Kosovës për njohje të reja për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Jam shumë me shpresë plotë se nesër do të kemi një votim të suksesshëm në Këshillin e Evropës dhe kjo do të na japi akoma më shumë frymëzim për të bërë punë më të mira në të ardhmen dhe dëshiroj shumë që bashkëpunimi ynë të vazhdoj, kuptohet që duhet të respektojmë dhe të marrim këshilla dhe të dëgjojmë ndërkombëtarët”, tha Begaj.

Back to top button