Osmani e Kurti bëjnë homazhe në Izbicë, Serbinë e quajnë shtet gjenocidal

(Lajm i përditësuar)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe  kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Izbicë, në 24-vjetorin e masakrës ku mbetën të vrarë 147 shqiptarë.

Me këtë rast, e para e shtetit e quajti masakrën e Izbicës ndër masakrat më të tmerrshme që ka kryer shteti serb.

Osmani tha se Liria e Kosovës ka ardhur falë viktima të luftës, e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kjo ka qenë një ndër masakrat më të tmerrshme të Serbisë, të shtetit gjenocidal serb ndaj popullit shqiptar. Dhe krimi nuk përfundoi me vrasjen dhe masakrimin e qytetarëve tanë në Izbicë, por u dyfishua atëherë kur forcat serbe zhvarrosën të vrarët dhe i rivarrosën ata në varrezat masive në vende të ndryshme në Serbi dhe në Kosovë”, tha Osmani.

Ajo përmendi edhe viktimën më të re të kësaj masakre, Dafinën e cila atëherë ishte gjashtë muajshe.

“Trupat e tyre u gjendën vite më pas, duke përfshirë edhe foshnjën 6 muajshe, Dafinën që e tregon mizorinë e krimeve që Serbia ka kryer në Kosovë. Edhe Izbica është një ndër dëshmitë e shumta që shteti serb ka kryer gjenocid dhe qëllimin e kishte ta shfaroste popullin shqiptar. Ndaj edhe sot këtu ndajmë dhimbjen me të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre , sepse dhimbja e tyre është dhimbje e Kosovës. Liria u bë e mundshme shkaku i të gjitha këtyre viktimave, shkaku i luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe natyrisht sakrificës së të gjithëve”, tha tutje Osmani.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Tha se aktakuzat e krerëve të Serbisë e kanë bazën e kësaj masakre.

“Jemi këtu të nderojmë dhe të përkujtojmë të vrarët nga regjimi fashist e gjenocidal i Milosheviçit, në Izbicë. Siç e tha edhe presidentja, ata janë rrëmbyer si shqiptarë të gjallë, e më pastaj, pas pushkatimit, janë rrëmbyer edhe kufomat, janë dërguar në Serbi dhe në fund janë zhvarrosur prej atje, por jo që të gjithë, meqenëse 6 nuk dihet ende se ku janë. Sot është një ditë kur e nderojmë edhe kujtimin e Mustafë Dragajt, i mbijetuari i masakrës i cili pati dëshmuar kundër Sllobodan Milosheviçit, në Tribunalin e Hagës, dhe i cili fatkeqësisht ndërroi jetë në shtatorin e vitit të kaluar. Masakra e Izbicës ndodhet në aktakuzat e 6 krerëve të lartë shtetëror, politik, policor, ushtarak të Serbisë dhe është dëshmi e gjenocidit të Serbisë”, tha Kurti.

Krasniqi: Janë mbi 400 masakra të kryera mbi popullësinë civile shqiptare, pak urdhërdhënës dhe ekzekutues kanë dalë para drejtësisë

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka kujtuar sot masakrën e Izbicës me rastin e 24 vjetorit të vrasjes, masakrimit dhe dëbimit të shqiptarëve nga forcat serbe.

“Sot, kujtojmë dhe nderojmë 147 martirët e një prej masakrave më të mëdha në Kosovë, asaj të Izbicës, të cilët, 24 vite më parë u vranë mizorisht nga regjimi kriminal serb. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, të vetëdijshëm për fundin që po u vinte, Serbia shtoi intensitetin e fushatës së tyre gjenocidale në Kosovë, përmes dëbimit, vrasjeve e masakrave mbi civilë të pafajshëm”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook.

Ai theksoi se edhe janë mbi 400 masakra të kryera mbi popullësinë civile shqiptare, për të cilat, fare pak urdhërdhënës dhe ekzekutues kanë dalë para drejtësisë.

“Gra, fëmijë, burra e pleq vriteshin gjithandej, pa shkak e pa mëshirë. Fatkeqësisht, janë mbi 400 masakra të kryera mbi popullësinë civile shqiptare, për të cilat, fare pak urdhërdhënës dhe ekzekutues kanë dalë para drejtësisë. Prandaj, edhe në këtë përvjetor të dhembjes, njëkohësisht krenarisë tonë kombëtare, thërrasim për drejtësi, të cilën akoma e presin dhe kërkojnë familjarët, shoqëria dhe shteti ynë. Lavdi të përjetshme të rënëve të Kosovës – dritës e diellit së lirisë dhe të ardhmes tonë!”, ka shkruar Krasniqi.

 

Haradinaj kujton masakrën e Izbicës: Rruga jonë drejt lirisë ishte plot vuajtje e sakrifica

Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit dhe njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot masakrën e Izbicës me rastin e 24 vjetorit të vrasjes, masakrimit dhe dëbimit të shqiptarëve nga forcat serbe.

Haradinaj ka thënë se që atë ditë armiku nuk kurseu as gratë, fëmijët e pleqtë – as Dafinën 6-muajshe, eshtrat e së cilës u mbajtën për 18 vjet në Serbi.

“24 vjet më parë, ngjau një ndër masakrat më të mëdha të kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Më 28 mars 1999, në fshatin Izbicë forcat ushtarake e policore të Serbisë, vranë mizorisht 147 shqiptarë të pafajshëm. Atë ditë, armiku nuk kurseu as gratë, fëmijët e pleqtë – as Dafinën 6-muajshe, eshtrat e së cilës u mbajtën për 18 vjet në Serbi”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se masakra e Izbicës e shumë të tjera që fatkeqësisht kanë ndodhur në Kosovë, janë dëshmi e rrugës drejt lirisë, një rrugë plot vuajtje e sakrifica.

“Sot, kujtojmë të gjithë ata që humbën jetën në këtë masakër, duke nderuar sakrificën e tyre, e cila u bë themel i lirisë sonë. Lavdi”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Osmani e Kurti bëjnë homazhe në Izbicë

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Izbicë, me rastin e 24 vjetorit të masakrës.

Osmani  e Kurti pritet të bëjë homazhe në ora 9:30.

Sot bëhen 24 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

Sot 24 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

Back to top button