Osmani falënderon American Councils dhe KAEF-in për mbështetjen ndaj studentëve kosovarë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim përfaqësuesit e American Councils dhe Fondit Kosovaro-Amerikan për Edukim (KAEF).
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje dhe vlerësime për mbështetjen e vazhdueshme që ky program ofron për studentët kosovar, të cilëve u mundësohen studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se këto shkëmbime janë në interes të përbashkët të të dy vendeve.
Tutje, Presidentja Osmani theksoi se programe të tilla thellojnë më tej bashkëpunimin në mes të dy vendeve. Në takim u diskutua për mundësitë që një program i tillë ofron për zhvillimin dhe avancimin e sektorëve kyç dhe profesioneve të shumta në vend, në mesin e të cilave edhe shumë fusha e programe inovative e shumë të rëndësishme për zhvillimin e tregut të punës në përputhje me trendet më të reja dhe nevojat e shumta.
Ndërsa, nga ana e American Councils dhe KAEF-it, u shprehën mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme nga ana e Presidentes Osmani, si dhe vlerësuan lartë ndihmën e ofruar këtë vit nga Qeveria e Kosovës përmes ndarjes së fondeve me të cilat është garantuar vijimi i punës dhe krijimi i mundësive shtesë edhe për shumë studentë të tjerë në vitet në vijim.
Ndryshe, American Councils vepron edhe në Republikën e Kosovës dhe është organizatë ombrellë e disa programeve të studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbështetura nga Qeveria e ShBA-së. Në mesin e këtyre programeve është programi KAEF, përmes të cilit mbi 113 studentë kanë ndjekur studimet e tyre të masterit në Shtetet e Bashkuara përmes bursave të plota.