Osmani flet për aleancën me ShBA-në: Reagimi ynë ndaj agresionit serb do të jetë i vendosur

(Lajm i përditësur)


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla më e fuqishme e shtetësisë së Kosovës.

Duke përmendur agresionin ushtarak serb në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, Osmani nënvizoi se prezenca ushtarake dhe policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë në qershor të vitit 1999.

Presidentja Osmani, para deputetëve dhe korit diplomatik dhe mysafirëve të shumtë që ishin të pranishëm në seancën solemne, tha se rrugëtimi i Kosovës drejt rrugës euro-atlantike është i paalternativë.

“Në zemër të rrugëtimit tonë qëndron edhe forca e aleancave tona. Sot në mënyrë të veçantë dua t’iu falënderohemi miqve tanë. Miqve të lirisë. Ju ishit me ne përgjatë gjithë rrugëtimit tonë, kur neve na mohoj çdo e drejt, kur shtypeshim mizorisht dhe kur luftonim për liri. Kur u çliruam dhe ndërtuam institucionet tona demokratike dhe ju kemi pranë pa asnjë dyshim edhe sot në mbrojtje të sovranitetit, kufijve tanë dhe demokracisë sonë. Ndër këto aleanca, aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë sonë. Ndërsa rrugëtimi ynë drejt institucioneve euro-atlantike është e paalternativë. Këto partneritete, bazuar në respektin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta kanë qenë dhe mbetet jetike për zhvillimin e shtetit tonë. Uroj që përpjekjet tona për të ndërtuar dhe kultivuar partneritete të priren përherë nga bindja se siguria dhe paqja e qëndrueshme nuk vijnë vetëm, por gjithnjë si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta me miq dhe aleat. Prandaj të ruajmë me zell frymën e demokracisë dhe bashkëpunimit, mbi të cilin është ndërtuar Republika jonë”, theksoi presidentja Osmani.

Krahas kësaj, Osmani theksoi se duhet të jetë e qartë për të gjithë se prezenca ushtarake dhe policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë në qershor të vitit 1999.

“Reagimi ynë ndaj agresionit shtetëror serb ishte i vendosur dhe ju siguroj i tillë do të jetë çdo herë. Le të jetë e qartë se prezenca ushtarake dhe policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë në qershor të vitit 1999, kur qiellin e Kosovës e pushtojë fryma e lirisë. Në mëngjesin e 24 shtatorit djemtë dhe vajzat tona në uniformë kanë dëshmuar përkushtim dhe sakrificë për të mbrojtur vendin e tyre”, përfundoi Osmani.


Osmani nga Kuvendi: 17 shkurti është e arritura jonë më e madhe historike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke nderuar të gjithë ata që sakrifikuan për këtë ditë.

“17 shkurti është e arritura jonë më e madhe historike. Është reflektim i idealit tonë, i gjyshërve e i stërgjyshërve tanë, i brezave të tërë ndër shekuj, për të ndërtuar shtetin e lirë e të pavarur, në të cilin liritë e të drejtat njerëzore, paqja dhe harmonia janë thelbësore. Republika jonë e re po konsolidohet çdo ditë, duke i nderuar qytetarët e vet dhe emrin e tyre në botë”, tha Osmani gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës.

Osmani tha se për qytetarët e Kosovës të kesh shtet ka qenë gjithmonë sakrificë e ideal.

“Ky ideal i rrëmbeu zemrat e, shumë herë, edhe jetët e brezave të tërë, të etërve tanë, nënave, motrave e vëllezërve, gjyshërve e stërgjyshërve tanë, të cilën dhanë fort për këtë tokë dhe e mbajtën të ndezur flakadanin e lirisë deri te brezi ynë. E, ne do ta shpiem tutje atë, sepse liria nënkupton për ne vetë karakterin e ekzistencës njerëzore”, u shpreh Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj për Ditën e Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës ka thënë se aleanca e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtyllë e shtetësisë.

Osmani, para ambasadorëve të huaj në Kosovë, falënderoi të gjithë miqtë e Kosovës që ndihmuan atë./21Media

Back to top button