Osmani: Holokausti, kurrë më

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar viktimat e Holokaustit – një prej tmerreve më të mëdha në historinë e njerëzimit, që mori jetët e miliona civilëve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Osmani bëri nderime te pllaka përkujtimore për hebrenjtë në Prishtinë.
“Përkujtimi i Holokaustit është obligim njerëzor i secilit, jo vetëm për t`i nderuar viktimat, por edhe për ta mbajtur zgjuar ndërgjegjen njerëzore që akte të tilla të mos përsëriten kurrë më”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj “Facebook”.
Ajo tutje ka thënë se në kohët më të errëta për ta, shqiptarët hapën zemrat dhe dyert, duke demonstruar fisnikëri e humanizëm.
“Në kujtim të kësaj dite jemi fuqimisht të vendosur kundër urrejtjes e diskiriminimit dhe vazhdojmë përkushtinin tonë për promovimin e mesazhit: Holokausti, kurrë më!”, ka shkruar e para e vendit.
Më 27 janar, në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005, përkujtohen viktimat e Holokaustit.
Kjo datë përkon me çlirimin të kampit nazist të përqendrimit Auschëitz-Birkenau më 27 janar 1945.
Fjala “holokaust” vjen nga greqishtja e lashtë dhe do të thotë sakrificë. Para Luftës së Dytë Botërore, ky term përdorej për të përshkruar vdekjen e një grupi të madh njerëzish.
Nga viti 1945 është bërë sinonim i përndjekjes sistematike të hebrenjve evropianë dhe vrasjeve të 6 milionë prej tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga nazistët dhe aleatët e tyre nga viti 1933 deri 1945. Hebrenjtë i referohen ngjarjes me fjalën “shoah” që do të thotë “katastrofë”./21Media

Back to top button