Osmani: Jemi të gatshëm të mbajmë zgjedhjet e reja në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për takimin që ka mbajtur të enjten pasdite me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, në Moldavi.
Osmani ka thënë se Vuçiqi “si gjithmonë, vajtonte, ankohej e nuk tregonte të vërtetën”.
“S’e kam pasur asnjë plan që të takohesha me Vuçiqin. Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë po vazhdon në Bruksel dhe ishte insistim që nga mëngjesi i liderëve evropianë dhe si presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës dua të tregoj konstruktiviteti, si virtyt të popullit tonë, që të tregojmë vullnet se mund të flasim me të gjithë. Ia kemi zgjatur dorën e bashkëpunimit Serbisë për vite të tëra. S’është hera e parë që e gjejmë veten me Vuçiqin në takime të tilla. Më duhet ta them se takimi, i mbajtur me insistimin e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, të cilëve ua respektova kërkesën duke qenë se janë ndër aleatët më të ngushtë, nuk ishte takim negociues, por shkëmbim pikëpamjesh. Mund ta them se Vuçiqi vajtonte, ankohej e sigurisht nuk tregonte të vërtetën, që është virtyt i tij, duke qenë ministër i propagandës së Millosheviqit”, ka thënë Osmani.
Nga ky takim, që u mbajt pa planifikime të mëhershme sipas Osmanit, dolën tri kërkesa nga evropianët për Kosovën e Serbinë. Bashkimi Evropian, me në krye Gjermaninë dhe Francën, kanë kërkuar publikisht organizimin e menjëhershëm të zgjedhjeve të reja në komunat veriore të Kosovës, sigurimin që në to të marrin pjesë serbët e Kosovës dhe që të nisë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ajo u shpreh e gatshme të mbahen zgjedhjet e reja në veri në përputhje me ligjin
“Kishte disa kërkesa që presidenti Macron dhe kancelari Schultz kishin si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Nuk është se presidenti Vuçiq u përgjigj në asnjë nga ato pyetje që ata kishin për të. Ndërsa, ajo që ata kërkuan nga Kosova është që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri, që do t’u jepte mundësinë qytetarëve serbë të marrin pjesë dhe kryetarët e komunave të zgjedhin me një legjitimitet më të madh. Dhe unë i informova se korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, ata mund të inicojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin. Është shumë e lehtë, është një proces shumë demokratik, ne i lejojmë qytetarët tanë të përcaktojnë se kur duan zgjedhje të reja dhe besoj se pa problem mund të ecim përpara me këtë, por duhet pjesëmarrje nga ana e tyre. Ata mund të zgjedhin kryetarin e komunës me një legjitimitet më të lartë, por duhet të marrin pjesë. Vuçiqit iu kërkua që të mos ndërhyjë, të mos u bëjë presion qytetarëve që të mos marrin pjesë. Nga ana e tij nuk ka pasur përgjigje”, tha ajo./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?