Tahiri pyet Kurtin: Me ke vëlla je koordinuar?

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri deklaroi se kryeministri Albin Kurti nuk e ka informuar as presidenten dhe kuvendin për veprimet që ka ndërmarrë në veri. Ai e ka pyetur shefin e ekzekutivit se me kë është koordinuar për të njëjtat, duke i shtuar se ka shkelur edhe dokumentin e strategjisë për siguri kombëtare.

Në debatin parlamentar për situatën në veri, Tahiri shtoi se Policia e Kosovës është përballë bandave kriminale të Aleksandër Vuçiqit, policët të cilët sipas tij, janë vendosur në lajthitje nga kjo qeveri.

“Në emër të AAK-së dua t’i paraqes tri qëndrime tona, e para lidhet me humbjen dhe dobësimin e sovranitetit të Kosovës në atë pjesë të vendit. E dyta lidhet drejtpërdrejt me rrezikimin e subjektivitetit tonë shtetëror dhe dëmtimit të marrëdhënieve me aleatët tanë perëndimor, në veçanti me Amerikën. Dhe e treta, pak për qëndrimin e AAK-së dhe rrëshqitjen e kësaj qeverie nga një demokraci liberale në një diktaturë të paparë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Tahiri.

Teksa ka përmendur sovranitetin, Tahiri ka komentuar dokumentin e ‘strategjisë kombëtare për siguri kombëtare’, ku tha se thuhet se mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial realizohet në koordinim të plotë me praninë e trupave ushtarake të NATO-s.

“Pyetja jem për Albin Kurtin është: me kë vëlla je koordinuar? Me kon ke fol kur i madh e i vogël prej partnerëve tanë strategjikë të ka dalë kundër? I madh e i vogël të kanë thënë ‘ki kujdes se je tu hi në një fushëbetejë ku e dëmton vendin tënd’. Ti je ai që e ke shkel dokumentin që e ke miratuar vet, e në faqe të parë është nënshkrimi yt, qe ku e ki. Ke vendos pa u konsultuar me askënd dhe këtu e kam fjalën për ju deputetë të LVV-së. Ky njeri, vendimmarrjen e ka të përqendruar në tre njerëz, krejt çka merrni vesh ju edhe ne edhe populli i Kosovës se çka duhet të ndodhë në veri për mbrojtjen e sovranitetit e merrni vesh prej mediave. Nuk e ka informuar presidenten, nuk e ka informuar kuvendin, nuk e ka mbajtur Këshillin e Sigurisë Kombëtare”, ka shtuar ai.

Shefi i deputetëve të AAK-së, ka theksuar se Kurti nuk mund të bëjë ‘hajgare’ me Amerikën.

“Tregona me kë je duke punuar, me kon po flet që po i merr këto vendime? Vendime që po e dobësojnë në themel sovranitetin e vendit. Po flet për sovranitet, për çfarë sovraniteti bre je duke folur? Je duke folur për një sovranitet të një oborri të një komune, që në asnjërën komunë nuk është as komunë. Po flet për sovranitet që e ke ballafaquar Policinë e Kosovës me turmat, e ke ditur shumë mirë se çfarë plani ka Vuçiqi me policë, me i sulmua me pas vdekje”, ka përfunduar Tahiri.

Debati parlamentar për situatën në veri po vazhdon.

Back to top button