Osmani: Jemi të gatshëm të shqyrtojmë mbajtjen e zgjedhjeve të reja

(Lajm i përditësuar)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se Kosova është e gatshme që të organizojë zgjedhje të reja në pjesën veriore të Kosovës.
Osmani tha se këtë kërkesë e bënë presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.
“Unë i thash që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha Osmani.
“Ata kërkuan nga Kosova që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri që do tu jepte qytetarëve serbë mundësinë që të marrin pjesë dhe të zgjedhin kryetarë me legjitimitet më të madh”, tha Osmani.
Osmani tha se organizimin e zgjedhjeve të reja e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe kjo sipas presidentes mund të bëhet përmes një peticioni që mund ta inicojnë qytetarët serb të komunave veriore.
“Kjo nënkupton që qytetarët serbë, pra rreth 20 për qind prej tyre që janë në listën votuese mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, deklaroi presidentja Osmani.
Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjedhje të reja në veri
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.
“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron.
Ai tha gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Osmani dhe Vuçiqi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau./rel
Pas takimit me Scholz dhe Macron, deklarohet Osmani
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu pas takimit me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Sholz dhe presidentin Francës, Emanuel Macron tha se “në këtë kohë përcaktuese për sigurinë në rajon e Evropë, bashkëpunimi me partnerët tanë është kyç”.
Osmani ka bërë të ditur se me Scholzin, Macronin dhe Borrellin kanë diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon dhe për përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.
“Së bashku me Presidentin Emmanuel Macron dhe Kancelarin Olaf Scholz, si dhe me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, diskutuam zhvillimet e fundit në Kosovë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Nis takimi Osmani-Scholz-Macron në Moldavi
Disa orë më herët sesa ishte parashikuar, ka filluar takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Sholz dhe presidentin Francës, Emanuel Macron.
Takimi është duke u mbajtur në Kishinau të Moldavisë në margjinat e samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian.
Pritet që temë kryesore e takimit të jetë situata e fundit e sigurisë në rajon e në veçanti, ajo në veri të Kosovës.