Osmani: Kelmendi mbeti modeli i gruas e cila nuk u dorëzua asnjëherë
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se Nekibe Kelmendi, pavarësisht sfidave jetësore nga vrasja e bashkëshortit dhe dy djemve nga regjimi gjenocidal i Serbisë, megjithatë gjeti kurajon që tërë jetën e saj t`ia kushtoj angazhimit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Osmani tutje ka shtuar se Kelmendi mbeti modeli i gruas së angazhuar, konsistente dhe e cila nuk u dorëzua asnjëherë.
“Sot u bënë njëmbëdhjetë vjet nga ikja e gruas stoike, politikanes së urtë dhe ish-ministres së drejtësisë, znj.Nekibe Kelmendi, e cila pavarësisht sfidave jetësore nga vrasja e bashkëshortit dhe dy djemve nga regjimi gjenocidal i Serbisë, megjithatë gjeti kurajon që tërë jetën e saj t`ia kushtoj angazhimit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Veprimtaria e saj prej disa dekadash është dëshmi e kohës për kontributin e çmuar të grave në rrugëtimin e Kosovës në të gjitha periudhat historike.Kujtimi për znj. Nekibe Kelmendi do të jetë i përhershëm, sikurse vepra e saj që do të mbetet frymëzim për brezat e tashëm dhe të ardhshëm”, ka shkruar Osmani.
Sot bëhen 11 vjet që kur u nda nga jeta, nënkryetarja e LDK-së, dhe deputetja Nekibe Kelmendi./21Media