Osmani kërkon nga aleatët t’i bëjnë presion Vuçiqit

Presidentja, Vjosa Osmani, ka kritikuar BE-në për qasje jo të balancuar në proces të dialogut në Bruksel dhe zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Sipas presidentes Osmani, Bashkimi Evropian nuk po i kërkon Serbisë të zbatojë obligimet e saj të marrëveshjes e cila po e shkel pikën e katërt të saj ku flitet për mos pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

‘’Është për keqardhje që kemi një qasje të tillë totalisht të pa balancuar. Në njërën anë ka kërkesa të vazhdueshme nga ana e Kosovës që të zbatojë të gjitha detyrimet nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksit të Ohrit, në anën tjetër nuk shohim kërkesa që ta bëjë të njëjtën gjë në mënyrë paralele në të njëjtën kohë. Kjo qasje e pa balancuar e ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë vet kredibilitetin e dialogut dhe mundësinë që ai të ketë sukses. Në mënyrë që t’i kthehet ky kredibilitet dialogut është e domosdoshme që të gjithë aleatët dhe partnerët tanë të bëjnë presionin e nevojshëm në Beograd tek personi i vetëm që nuk është konstruktiv në këtë proces dhe ai është Vuçiqi dhe të kërkohet që të zbatojë pjesën e tij të marrëveshjes që si thelb e ka nenin 4 që kërkon që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, tha presidentja për RTV21./21Media

Back to top button