Osmani kërkon që sulmet ndaj gazetarëve të dënohen nga të gjithë

(Lajm i përditësuar)


Tahiri: Sulmet ndaj gazetarëve në veri shpërfaqin njëkohësisht dobësi dhe brishtësi institucionale

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se sulmet ndaj gazetarëve në veri të vendit janë të sinkronizuara nga Serbia.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri ka thënë se sulmet ndaj medias shpërfaqin dobësi dhe brishtësi institucionale.

“Të lihen të pambrojtur nga kriminelët, përpos se tolerim i nëpërkëmbjes së parimeve dhe vlerave universale njerëzore, shpërfaq njëkohësisht dobësi dhe brishtësi institucionale”, ka thënë Tahiri.

“Sulmi ndaj gazetarëve në veri të vendit, është pjesë e një kampanje të sinkronizuar nga Serbia dhe bandat e saj kriminale në veri të Republikës së Kosovës.Media e lirë, efikase dhe e pavarur, është shenja dhe shtylla mbrojtëse e shtetësisë dhe shtetformimit. Të lihen të pambrojtur nga kriminelët, përpos se tolerim i nëpërkëmbjes së parimeve dhe vlerave universale njerëzore, shpërfaq njëkohësisht dobësi dhe brishtësi institucionale. Kur shtrinë sovranitetin dhe sundimin e ligjit, nuk guxon t’i lësh të pambrojtura shtyllat e shtetformimit. Mediat e lira dhe gazetaria profesionale janë më meritorët që Kosova nuk do t’i jap asnjë shans rrëshqitjes në kaos, anarki, dhe autoritarizëm.”, ka shkruar Tahiri.


Osmani kërkon që sulmet ndaj gazetarëve të dënohen nga të gjithë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani reagoi për sulmin ndaj gazetarëve në veri. Ajo kërkoi që kryesit e këtyre veprave të përballen me drejtësiën.

Osmani po ashtu bëri thirrje që të dënohen nga të gjithë këto akte, përcjell portali rtv21.tv

“Gazetarët në veri të vendit u sulmuan sërish brutalisht nga bandat kriminale. Ata që kryejnë këto sulme duhet të përballen me drejtësinë. Përpjekjet e tyre për të destabilizuar Kosovën do të dështojnë. Këto akte të tmerrshme të dhunës së vazhdueshme duhet të dënohen nga të gjithë. Sundimi i ligjit do të mbizotërojë.”, shkroi ajo në Tëitter.


Ambasada amerikane dënon sulmet ndaj gazetarëve në veri

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar për sulmet brutale të sotme ndaj gazetarëve kosovarë në veri, duke përsëritur thirrjet që mediat të jenë në gjendje të punojnë pa dhunë dhe frikësim.

“Ne dënojmë sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe sot. Ne përsërisim thirrjen tonë që mediat të jenë në gjendje të punojnë pa dhunë dhe frikësim”, thuhet në reagimin e ambasadës në Twitter.

Gazetarja sulmohet me gurë në kokë nga protestuesit

Gazetaren Dorentina Thaqi, protestuesit të cilët i kanë sulmuar edhe kameramanët e RTK-së dhe TëVë1-në, e kanë qëlluar me gurë në kokë, ndërsa e kanë gjuajtur edhe me shok-bombë., njofton AGK=ja

“Ky është sulmi i 28-të në drejtim të ekipeve të mediave, gjatë tensioneve të fundit në veri të vendit, ndërsa sulmi i katërt vetëm gjatë ditës së sotme në Leposaviq. “,

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon që urgjentisht të sillen para drejtësisë protestuesit, ndërsa u bën thirrje ruajtësve të rendit dhe paqes, Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe KFOR-it, që të krijojnë kushte të favorshme për raportim, në këto kohë të ndjeshme.


Kurti: Sulmi brutal ndaj gazetarit të dënohet nga palët ”e zëshme” për situatën

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas sulmit të fundit shokues ndaj një gazetari nga bandat serbe në Leposaviq, duke thënë se sulmet ndaj atyre që raportojnë nga terreni janë absolutisht të papranueshme dhe duhet të dënohen nga të gjitha palët që përndryshe janë ”të zëshëm” për situatën.

“Një tjetër gazetar është sulmuar brutalisht teksa mbulonte zhvillimet në veri të Kosovës sot nga persona të maskuar. Sulmet fizike ndaj atyre që raportojnë nga terreni janë absolutisht të papranueshme dhe duhet të dënohen nga të gjitha palët që përndryshe janë të zëshëm për situatën”, ka shkruar Kurti në Twitter, duke shpërndarë momentin e sulmit.

Nëntë gazetarë të sulmuar në Leposaviq

Nëntë gazetarë janë sulmuar nga huliganët në Leposaviq të premten, konfirmoi Policia e Kosovës.

Siç njofton policia gazetarët e sulmuar kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet në komunën e Leposaviqit pas vizitës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniq

“Po ashtu në afërsi të komunës së Leposaviqit nga individ/grupe kriminale është hedhur një mjet, dyshohet shok bombë, si dhe janë sulmuar fizikisht në mënyrë brutale disa gazetarë të mediumeve të ndryshme të Kosovës. Bazuar në informacionet e deritanishme bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.”, thuhet në njoftimin e policisë,

Po ashtu bëhet e ditur se përveç sulmeve fizike dhe dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, atyre iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit iu është grabitur një telefon celular.

“Pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, sulmet e dhuna fizike, si dhe dëmtimi i automjeteve dhe i pajisjeve zyrtare janë veprime kriminale të cilat do të hetohen nga Policia e Kosovës. Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë iniciuar rastet”, thuhet në njoftimin e policisë.


Sulmi ndaj gazetarëve, Konjufca: Kjo tregon se Beogradi s’ka dhënë asnjë shenjë për ta qetësuar situatën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca reagoi për sulmin që iu bë sot gazetarëve në Leposaviq.

Ai tha se ky sulm tregon se Beogradi nuk ka bërë asnjë hap për të ndalur bandat kriminale, përcjell portali rtv21.tv

“Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazatarëve të medieve kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës.E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë.”, shkroi Konjufca në Facebook duke i bërë thirrje Bashkësisë ndërkombëtare që ta shtojë presionin mbi Serbinë.

Ai po ashtu tha se Kosova nuk do t’i lejojë këto provoike.

“I bëjmë thirrje edhe një herë faktorit ndërkombëtar që ta shtojë presionin mbi Serbinë, si shkaktare të këtyre tensioneve, sepse s’mund të ketë qetësi dhe stabilitet nëse bandat vazhdojnë të ushtrojnë dhunë dhe terror mbi popullsinë e këtyre komunave, gazetarët dhe forcat e rendit. Kosova nuk do t’i tolerojë provokime të tilla, por as faktori ndërkombëtar nuk duhet t’i kalojë pa ndëshkim interferime të tilla të Serbisë në stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.”, shkroi  pari Kuvendit.

Paraprakisht ai theksoi se Serbia duke vazhduar t’i mbajë të aktivizuara grupet kriminale dhe sulmuesit e maskuar në katër komunat veriore të Kosovës, dëshiron me çdo kusht ta përshkallëzojë dhe ta destabilizojë gjendjen e sigurisë në Kosovë.

“Që nga pengimi i të drejtës ligjore të kryetarëve të zgjedhur të komunave për ta ushtruar detyrën në institucionet komunale përmes sulmesh të dhunshme e me armë zjarri kundrejt policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it, sulmeve ndaj gazetarëve e deri tek rrëmbimi i tre policëve kufitarë nga ushtria serbe brenda territorit të Kosovës, Serbia po dëshmon se dëshiron patjetër tension dhe konflikt në Kosovë, saktësisht të kundërtën e asaj që po kërkon bashkësia ndërkombëtare. “, vijoi Konjufca.

“Çfarë fqinjësie të mirë dhe normalizimi raportesh mes dy vendeve mund të pretendohet nëse Bashkimi Europian e toleron një sjelle të tillë armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës. Nëse BE e toleron këtë agresion të vazhdueshëm të Serbisë, atëherë përfundimisht dialogut po i humbet kuptimi.”, përfundoi ai.

Protestuesit serbë në Leposaviq kanë gjuajtur me shok-bomba kah gazetarët.

Ata janë sulmuar derisa ministri Elbert Krasniqi po largohej nga objekti komunal me veturë.

E lidhur me këtë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër këtë sulm, njëherësh bën të ditur se për të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.


AGK: Për sulmet që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare

Gjatë ditës sot është raportuar për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq.

E lidhur me këtë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër këtë sulm, njëherësh bën të ditur se për të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

AGK-ja tutje u ka bërë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar aty.

“Sulmohen mediat në Leposaviq, kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, pëson lëndime të rënda në kokë dhe trup
Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq.
Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht siç shihet në videon shqetësuese të dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, nga ekipet në terren. Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit. Në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e medieve, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.
“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Sulmohen gazetarët në Leposaviq

Protestuesit serbë në Leposaviq kanë gjuajtur me shok-bomba kah gazetarët.

Ata janë sulmuar derisa ministri Elbert Krasniqi po largohej nga objekti komunal me veturë.

Policia për RTV21: Situata në Leposaviq është e qetë

Protestuesit serbë në Leposaviq kanë gjuajtur me shok-bomba kah gazetarët.Ata janë sulmuar derisa ministri Elbert Krasniqi po largohej nga objekti komunal me veturë.Derisa kanë qenë duke ikur, disa gazetarëve u kanë rënë telefonat celularë, të cilët sipas tyre, janë marrë nga serbët që i kanë sulmuar.

Policia e Kosovës për RTV21 ka deklaruar se situata në Leposaviq aktualisht është e qetë, teksa ka tregur se protestuesit kanë qëndruar 15 minuta në oborrin e komunës dhe pastaj janë larguar.

“Protestuesit kanë tentuar të hyjnë brenda komunës, kanë qëndruar në oborr 15 minuta dhe janë larguar nga hyrja e komunës situata është e qetë”, ka thënë Policia e Kosovës.


Ministri Krasniqi viziton kryetarin e Leposaviqit, diskutojnë për zhvillimet në komunë

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka vizituar të premten kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin.

Ministri Krasniqi njofton se në takim me kryetarin Hetemi kanë diskutuar për zhvillimet në komunë, me ç’rast kryetari e ka njoftuar për vendimet e fundit.

“Kryetari Hetemi, ka vazhduar me plotësimin e kabinetit të tij, si rrjedhojë ka emëruar drejtorë në drejtoritë përkatëse: Sretena Bojovic, Andjela Simic, Valton Peci dhe Arjeta Tahiri”, shkruan Krasniqi në Facebook.

Ai ka falënderuar kryetarin Hetemi për përkushtimin e tij që të punojë së bashku me kabinetin e tij për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim.

Ndërkaq, sot në mëngjes protestuesit kanë tentuar të hyjnë me dhunë në ndërtesën e komunës së Leposaviqit.


​Protestuesit tentojnë të hyjnë me dhunë në komunën e Leposaviqit

Protestuesit në Leposaviq kanë tentuar para gjysmë ore të hyjnë me dhunë në ndërtesën e komunës, por nuk janë lejuar nga ushtarët e KFOR-it.

Ata pasi kanë kuptuar se në ndërtesë ndodhet ministri i Administrimit dhe Pushtetit, Lokal Elbert Krasniqi dhe kryetari Lulzim Heremi.

Deri tani nuk është shënuar ndonjë incident, por situate mbetet nën tension./21Media

Back to top button