Osmani: Kosova beson në vlerat e OKB-së dhe vizionin e saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ndihmës sekretaren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, njëherësh ndihmës administratore e UNDP-së, Mirjana Spoljaric – Egger, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen që kjo organizatë i ka dhënë Kosovës që nga vitit 1999.
Sipas presidentes, me këtë mbështetje UNDP-ja ka kontribuar në rritjen e perspektivës së zhvillimit në vend dhe në këtë kontekst ka përmendur se pandemia ka goditur shumë biznese të udhëhequra nga gratë.
Ajo ka theksuar nevojën e përfshirjes më të madhe të grave në tregun e punës për të realizuar potencialin e plotë për zhvillim ekonomik të një vendi. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova beson në vlerat e OKB-së dhe vizionin e saj për zhvillim të qëndrueshëm.
Osmani ka theksuar se për një zhvillim të qëndrueshëm, duhet të investohet në kapitalin njerëzor. Sipas saj, objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm përfaqësojnë një udhërrëfyes për një mirëqenie më të mirë.
Të dy bashkëbisedueset kanë folur edhe për transformimin digjital, tranzicionin në energjinë e gjelbër dhe financimin inovativ. Ne këtë drejtim, Osmani theksoi nevojën për financim të konsiderueshëm për të realizuar tranzicionin e drejtë energjetik në Kosovë, i cili ka në konsideratë shtimin e kapaciteteve prodhuese nga burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe koston e përballueshme të energjisë për qytetarët./21Media

Back to top button