Osmani: Kosova e konsideron Gjermaninë si një forcë lëvizëse

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka arritur sot në Kosovë.
Ajo është pritur në aeroport nga homologia e saj kosovare, Donika Gërvalla, ndërkaq ka zhvilluar takim me presidenten, Vjosa Osmani.
Pas takimit Osmani ka thënë se Kosova e konsideron Gjermaninë si një forcë lëvizëse për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe rajonit.
“Marrëdhëniet me këtë shtet i bëjnë edhe më të forta një numër i madh i mërgimtarëve kosovarë, të cilët jetojnë dhe janë të integruar mirë në Gjermani”, ka shkruar ndër tjera Osmani në Facebook.
Osmani ka potencuar se aspirata e Kosovës për t’u bërë anëtare e NATO-s, synon parandalimin e përpjekjeve për ta destabilizuar vendin tonë dhe rajonin nga përpjekjet e Rusisë dhe aleatit të saj, Serbisë. Më tej,  Osmani ka përmendur kërcënimin që vjen nga bashkëpunimi i ngushtë ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Serbisë, sikurse edhe nga funksionimi i një qendre ruse afër kufirit me Kosovën.
Në këtë drejtim,  Osmani ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, pastaj në NATO, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Në këtë takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.

Barbock aktualisht është në takim me kryeminstrin e Kosovës, Albin Kurtin. Pas takimit dyshja do mbajnë një konferencë për media./21Media
Back to top button