Osmani: Kosova krenare që e ka në krah SHBA-në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para të pranishmëve në Kongresin amerikan ka deklaruar se Kosova është krenare që e ka SHBA-në pranë saj.
“Kosova sovrane, me një ekonomi në rritje, është krenare që ka SHBA-në pranë saj. SHBA është aleati ynë më i fuqishëm, janë dy shtete, dy kombe që kanë një lidhje të veçantë. Kjo ceremoni konfirmon për çka është kjo lidhje, që t’i qëndrojmë njërit-tjetrit pranë në kohë të vështira dhe të mira”, ka thënë fillimisht ajo.
Osmani tutje theksuar se investimet e tilla do të jenë trashëgimia më e mirë e gjeneratave të ardhshme të Kosovës.
“Sot jemi dëshmitarë se çfarë mund të arrihet me angazhim, qëndrueshmëri dhe përkushtim. Institucionet tona bashkërisht me ekipin e MCC-së e kanë hartuar Programin Kompakt, i cili do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve urgjente në sektorin e energjisë. Marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, që është investimi më i madh energjetik i bërë në vendin tonë prej dekadash tashmë, do të ndihmojë në krijimin e fleksibilitetit dhe stabilitetit në rrjetin elektrik, duke mundësuar integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme, si dhe zhvillimin e aftësive që do të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes dhe angazhimin e grave tona në sektorin e energjisë dhe në tregun e punës”, ka thënë presidentja Osmani.
Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.
Granti 5-vjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës./21Media

Back to top button