Osmani kujton Konushefcin: Pushkët e tij e bën Kosovën të lirë

(Lajm i përditësuar)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar heroin Ilir Konushevci dhe mjekun Hazir Malajn në 25-vjetorin e vrasjes.

Osmani tha se Konushevci ishte luftëtari i paepur që kauzën e tij për lirinë e Kosovës e kishte transformuar në veprim konkret ushtarak që nga vitet e 90-ta.

Njeriu i pushkës ishte edhe bartësi kryesor i procesit të furnizimit të UÇK-së me armatim nga Shqipëria në Kosovë. 25-vjet më parë, Ilir Konushevci bashkë me mjekun Hazir Malajn, në përcjellje të një kamioni me armë që do të dërgoheshin drejt Kosovës u vra në një pritë të organizuar. Gjeneral Iliri u vra, por jo edhe ëndrra e tij për Kosovën e lirë. Pushkët e tij e bën Kosovën të lirë, e përmbushën testamentin e tij dhe e përjetësuan idealin e brezave për liri dhe Republikë. Zbardhja e autorëve të vrasjes së tij dhe përballja me drejtësinë do t`i jap kuptim lirisë për të cilën ra Iliri! Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ilirin!“, ka thënë Osmani.

Kurti kujton Konushefcin e Malajn: Dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve tek varret e heroit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, në 25-vjetorin e rënies së tyre, ka thënë se dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe për Kosovën, e si të tillë duhet të jenë udhërrëfyes për hapat e mëtutjeshëm.

Duke kujtuar veprën e tyre, Kurti shtoi se janë pikërisht dëshmorët që i dëshmojnë krimet serbe në Kosovë, por edhe vullnetin e popullit shqiptar.

“Sot më 9 maj, kur u bënë 25 vjet të rënies së Ilir Konushefcit dhe Dr. Hazir Malaj, erdhëm këtu bashkë me kolegë, ministra, deputetë, me zëvendëskryeministren Rexhepi dhe me dy familjet, Konushefci e Malaj, që të bëjmë nderime para këtyre dy dëshmorëve të kombit, të cilët nuk kursyen asgjë, të cilët dhanë jetën që populli shqiptar të jetojë i lirë në tokën e vet. Pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike e shoqërore në vendin tonë e kanë kryer dëshmorët e kombit. Neve na ka mbetur një pjesë më e vogël, por e rëndësishme e punës, e cila bëhet mirë e mbarë duke i pasur si udhërrëfyes dëshmorët dhe martirët, të cilët janë edhe dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë, por njëkohësisht edhe e vullnetit të paepur të popullit tonë për liri”, tha ai.

Haradinaj: Ilir Konushevci i takon brezit të artë të komandantëve themelues të UÇK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj me rastin e 25-vjetorit së rënies së heronjve, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, ka bërë homazhe te varret e heronjve të kombit në Velani.

Haradinaj u shpreh se Konushevci i takon brezit më të artë të komandantëve themelues të UÇK-së.

“Hazir Malaj ishte mjek dhe u bashkua me UÇK-në, me Ilir Konushevcin, e prej themeluesve të UÇK-së, pra komandant nismëtar i cili u nda nga ne padrejtësisht në Shqipëri. Që atëherë ne e kujtojmë me respekt dhe e nderojmë çdoherë veprën e tij. Jam i bindur se i takon brezit më të artë të komandantëve themelues të UÇK-së, pra Ilir Konushevci”, tha Haradinaj.

25 vjet nga vrasja e gjeneral Ilir Konushevcit

Sot bëhen 25 vjet nga vrasja e njërit ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushevci.

Ilir Konushefci është lindur më 20 qershor të vitit 1969 në fshatin Llugë të komunës së Podujevës. Fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes. Shkollën fillore e kreu në fshatin Lluzhan, të mesmen në Podujevë dhe u regjistrua në Shkollën e Lartë në Ferizaj, të cilën nuk arriti ta përfundojë për shkak të aktiviteteve.

Më 13 maj 1992 , Iliri, së bashku me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, themelojnë grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake.

Kjo vërehet në betimin e dhënë, ku thuhet: “Betohem para flamurit dhe para shokëve se detyrat, të cilat i parashtron grupi, do t’i kryej me besnikëri dhe nëse është nevoja edhe jetën do ta jap për realizimin e idealit tonë”.

Ky grup, në vitin 1993, bie në kontakt me LKÇK-në. Edhe pse në mes tyre kishte disa dallime të vogla sa i përket mënyrës së organizimit, megjithatë gjendet mënyra për bashkëpunim, sepse të dy palët mendonin se çlirimi i Kosovës mund të realizohej përmes luftës së armatosur.

Njësiti “Shqiponjat“ pranon që t`i ndihmojë ata në shpërndarjen e organit të LKÇK-së “Çlirimi”. Ky bashkëpunim zgjati gjer nga fundi i vitit 1993 dhe fillimi i vitit 1994.

Në qershor të vitit 1996 ky njësit bie në kontakt përmes Rrustem Mustafës – Remit, me komandant Zahir Pajazitin dhe nga ajo kohë ishte vazhdimisht krah për krah me të.

Pas vrasjes se Zahirit, Hakifit dhe Edmondit më 31 janar 1997, në fshatin Pestovë afër Vushtrrisë, me sugjerimin e shokëve Selim Haziri, Naim Hyseni dhe Naim Hazir), kalojnë në ilegalitet në një banesë në Prishtinë për disa ditë dhe nga këtu vendosin që të kalojnë në Shqipëri.

Nga ajo kohë, Iliri, në rrethanat e krijuara në Shqipëri, ndryshoi formën e veprimit të tij, por duke mos u larguar asnjëherë nga betimi i dhënë për të luftuar gjer në fund për çlirimin e Kosovës. Atje filloi të bashkëpunojë me bashkëluftëtarët e Zahirit, si me Adrian Krasniqin, me të cilin ishte i pandarë deri në vdekjen e Adrianit, Qerim Kelmendin, Mujë Krasniqin, Ismet Abdullahun, Murat Ajetin etj.

Iliri në Shqipëri punoi në furnizimin me armatim në nivel të vendit, detyrë e cila ishte shumë e vështirë. Këtë detyrë e kryente kryesisht me Ardian Krasniqin,pas vrasjes së Luan Haradinajt.

Pasi formuan rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani disa herë erdhën në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së, si dhe koordinimit të punëve me rrethet e tjera, sepse pas vrasjes së Zahir Pajazitit shumëçka nuk ishte si më parë.

Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte ZOLL-in në Shtabin Qendror.

Më 16 tetor 1997 vritet dhe Ardiani, gjatë një sulmi të Stacionit të policisë serbe në Kliqinë të Pejës. Vrasja e tij ishte një humbje e madhe për shokët, për UÇK-në e veçanërisht për Ilirin, sepse ata pos të tjerash ishin edhe shokë të pandarë të aksioneve. Pas këtij rasti, Iliri ngarkohet nga shokët me rolin kryesor për sjelljen e armatimit në Kosovë. Gjatë gjithë kohës sa punoi në këtë detyrë, ai hyri në Kosovë mbi tridhjetë herë, duke sjellë armatim të llojllojshëm, nga armët e brezit e deri tek armatimi kundërtank. Iliri, pos që punoi rreth furnizimit me armatim, kontribuoi shumë edhe në sjelljen e eprorëve profesionistë në radhët e luftëtarëve të lirisë.

Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998, atje ku me se paku pritej, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.

Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.

Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në.

Back to top button