Osmani: Majlinda është Kosova
Kampionja olimpike e ”Rio 2016”, Majlinda Kelmendi nuk arriti të vazhdojë tutje garat e xhudos në Lojërat Olimpike ”Tokyo 2020” dhe me këtë rast presidentja, Vjosa Osmani theksoi se Majlinda do të mbetet kampione olimpike e përhershme.
Sipas Osmanit, Majlinda e ndriçoi emrin e Kosovës para krejt botës, ngriti flamurin atje ku nuk arrinte askush tjetër dhe bëri që të dëgjohej e nderohej himni në vende që nuk na njohin.
”Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër. Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të luftuar për ëndërrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave. Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë. Por jo vetëm falënderim Majlindë. Me ty jemi të gjithë, e arta jonë. Majlinda është Kosova”, shkroi Osmani në facebook.
Kujtojmë që, dje xhudistja, Distria Krasniqi bëri histori në Lojërat Olimpike ”Tokyo 2020”, ku fitoi medaljen e artë. Kjo është medalja e dytë e artë për Kosovën në Lojëra Olimpike, pasi ishte Majlinda Kelmendi që e ka nderuar vendin me të artën në ”Rio 2016”./21Media