Osmani në Bullgari për aksidentin: Tani duhet të përqendrohemi në tre momente

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sapo ka arritur në Bullgari.
Do të vizitojë të lënduarit në aksidentin tragjik ku vdiqën 45 persona dhe u lënduan 7 të tjerë dje në Bullgari, pasi autobusi “Besa trans” nga Shkupi mori flakë gjatë kthimit nga Turqia.
I pyetur se a do të ketë përgjegjësi dhe për lëshimet e evidentuara në licencimin e autobusit të kompanisë, Osmani tha se tani për tani duhet të përqendrohemi në tre momente.
“Është koha që tani të përqendrohemi te të lënduarit, te identifikimi viktimave dhe në realizimin e hetimit. Sapo të përfundojë hetimi, do të ketë kohë për të gjitha çështjet”, tha Osmani para spitalit, transmeton TV21.
Ndërkaq sa i takon informacionit që u kumtua dje nga autoritetet e vendit, se autobusi që ka transportuar udhëtarët nuk ka pasur licencë, Osmani tha se kjo çështje nuk është në kuadër të fushëveprimit të tij, por shtoi se “sërish janë konstatuar anomali dhe hetimi duhet të vazhdojë”./TV21

Back to top button