Osmani në prag të ndërrimit të moteve vizitoi shtëpinë e të moshuarve në Suharekë

Presidentja, Vjosa Osmani së bashku me bashkëshortin e saj, Prindonin kanë vizituar sot shtëpinë e të moshuarve ”Jetimat e Ballkanit” në Suharekë, e cila është bërë strehë për shumë të moshuar me organizimin e Halil Kastratit dhe shumë bëmirësve të tjerë.
Osmani përmes një postimi në ”Instagram”, ka shkruar se respekti ndaj të moshuarve është ndër treguesit më të mirë për ecjen përpara të një shoqërie. Ata janë brezi që sakrifikuan shumë për shtetin, prandaj meritojnë gjithë përkrahjen.
”Kjo shtëpi, përveç se vatër e ngrohtë për secilin është edhe vend ku ruhet historia dhe kujtimet e secilit prej tyre. Kjo familje e madhe hapi dyert dhe zemrën për njerëzit, disa nga të cilët janë të moshuar, disa të vetmuar e disa që nuk kanë mundësi kujdesi për veten. Shumë dashuri për secilin prej banorëve të kësaj shtëpie të madhe, duke uruar që përgjatë vitit 2022, ata dhe të gjithë qytetarët tanë të moshuar t`i përcjellë shëndeti i mirë, respekti i ndërsjellë dhe harmonia!”, ka shkruar Osmani në ”Facebook”./21Media

Back to top button