Osmani në takim me kryeministrin e Luksemburgut, flasin për kidnapimin e policëve kosovarë nga Serbia

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Luksemburg është pritur në takim nga kryeministri Xavier Bettel.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për media nga presidenca temë e diskutimit në këtë takim ishte edhe situata aktuale politike dhe e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor të Kosovës nga ana e Serbisë.
“Më tej, Presidentja Osmani tha se Kosova është ë përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se sfidat do t`i tejkalojë me partnerë dhe aleatë.Duke u ndërlidhur me zhvillimet e fundit në veri, Presidentja Osmani ka theksuar se është e domosdoshme përballja më drejtësinë e grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia, të cilat e sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët.”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se Presidentja theksoi nevojën e shtimit të angazhimit të ndërmjetësuesit të dialogut, Bashkimit Evropian, drejt zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura sivjet në Bruksel dhe Ohër.
Në fund, Osmani falënderoi kryeministrin Bettel për mbështetjen zhvillimore ofruar Kosovës, sikurse për liberalizimin e vizave. Njëkohësisht, Presidentja Osmani shprehu besimin për vazhdimin e mbështetjes në rrugën evropiane të Kosovës./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?