Osmani optimist, Zaev pesimist! Deri në zgjedhjet e Bullgarisë nuk mund të pritet zgjidhje për kontestin

 

Edhe përkundër çështjeve të pazgjidhura me Bullgarinë, por edhe kryesimi i Portugalisë me BE e cila në prioritetet e saja nuk e ka zgjerimin, ministri për punë të jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani me optimizëm paralajmëron se së shpejti do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare për fillimin e negociatave me BE. Osmani thotë se pritshmëritë e tija nga Portugalia janë pozitive, por gjithashtu shpreson se ndihma nga Gjermani do të vazhdojë.

“Pritjet janë të mëdha edhe nga presidenca portugeze. Presidencat funksionojnë brenda një treshe, përkatësisht në tre presidenca që i koordinojnë aktivitetet, udhëzimet dhe politikat, kështu që unë pres që Gjermania të vazhdojë me angazhimin e saj edhe gjatë presidencës portugeze. Këto ditë do të dërgojnë diplomat në Portugali që ai të jetë në kontakt me autoritetet portugeze. Por, njëkohësisht do të vazhdojë edhe me komunikimin me vendet e tjera anëtare paralelisht me komunikimin me Bullgarinë”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Osmani theksoi se tani për tani ende nuk është caktuar takim me kolegen bullgare Ekaterina Zaharieva, por tha se sot kanë koordinim me kryeministrin Zoran Zaev dhe me të gjithë që janë të përfshirë në këtë proces që të caktohet dinamika e aktiviteteve që sa më shpejt të gjendet zgjidhje.

Zaev tha se vazhdojnë me ndërtimin e strategjisë, por për dallim nga Osmani, tha se nuk pret ndonjë ndryshim së shpejti.

“Së pari, zgjedhjet janë moment i papërshtatshëm për zgjidhjen e çështjeve të tilla të ndjeshme politikisht, veçanërisht çështjet që të paktën pala jonë nuk mund të përcaktojë se ku është problemi. Unë shpesh them se nuk mund ta kuptoj problemin. Unë mund të kuptoj pikëpamjet për të folur edhe për të kaluarën, pse jo, e kaluara i takon kryesisht historianëve, ne politikanët duhet ta hapim të ardhmen, por në mënyrë definitve nuk do të thotë që nuk duhet të bëjmë përpjekje menjëherë. Kam shkëmbyer mesazhe dhe urime me të gjithë Kryeministrat për të uruar vitin e ri dhe natyrisht edhe me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë”, u shpreh Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Pas bllokadës së Maqedonisë për fillimin e negociatave me BE nga ana e Bullgarisë, mbetet e pasigurt kur Maqedonia përsëri do të gjendet në agjendën për zgjerimin e Unionit. Njëkohësisht nuk pritet që edhe çështjet e hapura me Bullgarinë të kenë ndonjë progres deri sa të mbahen zgjedhjet parlamentare në mars të këtij vitit./21Media

Back to top button