Kaloni te përmbajtja kryesore

Osmani pas takimit me Von Der Leyen: Është koha e fundit që BE-ja t’i heqë masat e padrejta ndaj Kosovës

(Lajm i përditësuar)


Presidentja e KE-së: Duhet ende punë për t’i hequr masat ndaj Kosovës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se duhet punuar për hapat e mëtejshëm që të arrihet në një pikë ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të binden për heqjen e masave ndaj Kosovës.

Në një konferencë për media të shtunën në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, Von der Leyeni ka shtuar se bashkë me udhëheqësit e Kosovës janë të përkushtuar për t’i arritur këto qëllime. Ka vlerësuar si hap pozitiv hapjen e Merdarit për kalimin e mallrave serbe.

“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat dhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare – pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për heqjen e masave. Ne të dyja (Von der Leyen & Osmani) jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. E rëndësishme ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka thënë ajo.

Kosova është nën masat e BE-së që nga qershori i vitit të kaluar pas trazirave në veri me kryetarët shqiptarë – për të cilën ndërkombëtarët fajësuan Qeverinë Kurti se nuk ndërmori hapa për ta shtensionuar situatën.


Osmani pas takimit me Von Der Leyen: Është koha e fundit që BE-ja t’i heqë masat e padrejta ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet t’ia njohë të arriturat Kosovës dhe të ndëshkojë satelitët në Ballkanin Perëndimor që i shërbejnë Rusisë, ndërsa ka përmendur Serbinë.

Osmani ka theksuar se Kosova po vepron me qasjen pro fqinjësisë së mirë e se Serbia duhet të mbajë përgjegjësinë e vet për aktin terrorist në Banjskë në shtator të vitit të kaluar.

“Është fat i keq për sigurinë e rajonit që në Ballkanin Perëndimor një shtet vazhdon të jetë sateliti më i fortë i Rusisë në Evropë, e ajo është Serbia. Është koha e fundit që vendosmëria që BE ka treguar ndaj Rusisë, të tregohet edhe ndaj satelitëve dhe shërbyesve të Rusisë në rajonin tonë. Kjo është me rëndësi sa i përket përgjegjësisë së Serbisë për aktiv e agresionit ndaj Kosovës të kryer përmes forcave paramilitare terroriste në shtator gjë që sipas Shtëpisë së Bardhë ka pasur për qëllim të destabilizojë jo vetëm Kosovën por tërë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidentja në konferencë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Osmani ka deklaruar se është koha që BE-ja t’i heqë masat ndaj Kosovës, duke shtuar se ato kanë dëmtuar edhe procesin e dialogun.

“Sot kemi nevojë që BE-ja t’i vlerësojë dhe njohë këto arritje. Është koha e fundit që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç të padrejta, këto masa po dëmtojnë qytetarët dhe kanë dëmtuar procesin e dialogut duke e bërë atë tërësisht të pabalancuar, pabarabartë dhe të pakredibilitet. Heqja e masave është reflektim i nevojave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, por do ishte edhe përgjigje ndaj plotësimit të parakushteve që vetë BE-ja i kishte vënë në raport me Kosovën sa i përket këtyre masave”, ka theksuar Osmani.


Osmani pas takimit me Von Der Leyen: Kosova do të përfitojë deri 882 milionë euro nga fondet e BE-së

Presidentja e Kosovës , Vjosa Osmani pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se kjo vizitë vjen vetëm disa ditë pas miratimit nga KE i agjendës së reformave për Kosovën. Osmani këtë e cilësoi lajm jashtëzakonisht pozitiv për Kosovën. Ajo tha se këta hapa konfirmojnë përkushtimin e BE-së për ta afruar rajonin drejt integrimit në BE.

“Mezi presim t’i zbatojmë reformat e këtij plani dhe të përfitojmë sa më shumë nga kjo mundësi në muajt dhe në vitet në vijim. Agjenda e reformave për Kosovën është fokusuar në 5 fusha prioritare: Ekonomi, siguri energjetike, punësim, tërheqje të investimeve si dhe fusha të tjera dhe parashikohet që deri në fund të vitit 2027 Kosova të përfitojë deri 882 milionë euro nga fondet e BE-së. Respektivisht Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë për kokë banori”, tha Osmani.


Von Der Leyen për Osmanin: Po punon shumë për të ardhmen evropiane, zgjerimi do të mbetet prioritet i imi 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, është duke zhvilluar takimin e saj me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Von Der Leyen në një postim të bërë para pak minutash në “X”, ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po bën punë të madhe për të ardhmen evropiane të Kosovës.

“Zgjerimi do të mbetet një top prioritet për mua. Jam e përkushtuar për një të ardhme ku të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e BE-së”, ka shkruar Von Der Leyen.


Von der Leyen vjen në Kosovë, pritet nga Osmani

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në këto qaste po pret në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen po qëndron për vizitë në Kosovë si pjesë e turneut në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, për të shprehur përkushtimin e komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt BE-së.

Osmani dhe Ursula Von der Leyen pas takimit do të mbajnë një konferencë për media. Kurse, nga ora 11:15, Von der Leyen takohet me kryeministrin Albin Kurti, ku mediat do të kenë mundësi të marrin vetëm pamje.

Para nisjes së turneut të saj, e para e Komisionit Evropian ka paralajmëruar se procesin e zgjerimit e ka ndër prioritetet kryesore dhe për këtë e ka caktuar një komisionare, e cila do të merret vetëm me zgjerimin e BE-së.

Von der Leyen me ndalesën e parë kishte Shqipërinë më 23 tetor, për të vazhduar në Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbi. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi në Podgoricë.

Ndryshe, të premten e kaluar, BE miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes prej 6 miliard eurosh.

Kosova, e cila aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.


Von der Leyen sot viziton Kosovën, do të takohet me Osmanin e Kurtin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen sot viziton Kosovën ku do të zhvillojë takime të ndara me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti. Me Osmanin takimi do të jetë në ora 09:45 dhe pas takimit do të ketë konferencë për media. Ndërsa, Von der Leyen me Kurtin do të takohet në ora 11:15.

Rruga integruese drejt BE-së dhe Plani i rritjes do të jenë në fokus të takimeve.

Zyra e BE-së në Kosovë bëri të ditur për RTV21 se pas takimeve me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, presidentja e Komisionit Evropian Von der Leyen do të mbajnë një konferencë për media bashkë me presidenten Osmani.

“Vizita në Kosovë është pjesë e udhëtimit katër-ditor të Presidentes von der Leyen në Ballkanin Perëndimor, që ka për qëllim diskutimin e progresit të partnerëve të BE-së në Ballkanin Perëndimor në rrugën e BE-së dhe Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së”.

Detaje për takimin e sotëm të presidentes Von der Leyen me kryeministrin Kurti për rtv21 dha edhe Qeveria e Kosovës derisa Zyra e presidentes nuk ktheu ndonjë përgjigje.

“Kryeministri Kurti nesër do të mirëpresë Presidenten e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen. Kjo vizitë po vjen disa ditë pasi që BE-ja miratoi agjendën e reformave të Kosovës, në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në takimin e nesërm pritet të diskutohet për zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes, përfitimet për Kosovën dhe qytetarët tanë, marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian dhe rrugën tonë integruese”, tha zëdhënsi i Qeverisë, Përparim Kyreziu për RTV21.

Nga 6 miliardë euro që janë paraparë për vendet e Ballkanit Perëndimor me Planin e Rritjes, Kosovës i takojnë mbi 800 milionë. Mjetet e para nga ky fond pritet të ndahen brenda këtij viti. Vizita e Von der Leyen në Kosovë ven pas vizitës së saj në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Bosnje e Hercegovinë e Serbi./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button