Osmani: Për ambientin të mos flasim vetëm një ditë në vit

 

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e shoqëruar nga deputetët Haxhi Avdyli, Hajrullah Çeku dhe Albena Reshitaj, kanë vizituar Komunën e Mitrovicës, ku u pritën nga kryetari Agim Bahtri.

Osmani bashkë me deputetët ka qëndruar në Mitrovicë për të diskutuar edhe me të rinjtë atje për çështjen e ambientit. Me ç’rast Osmani bashkë me deputetët dhe kryetarin Bahtiri, vazhduan rrugën për te liqeni artificial. Nga aty para të rinjve, Osmani ka folur rreth rëndësisë që ka ambienti në shëndetin e qytetarëve, duke theksuar se tema e ambientit nuk është luks, ashtu siç nuk është luks as shëndeti.

Tutje kryeparlamentarja Osmani ka treguar  edhe pse zgjodhi Mitrovicën që të bëjë debatin lidhur me ambientin.

“Është mirë që të mos flasim për ambientin vetëm një ditë në vit, kur kemi Ditën e Tokës ose një javë në vit, por të flasim çdo ditë sepse në Kosovë numri i qytetarëve që vdesin për shkak të ambientit të ndotur, për shkak të sëmundjeve që shkaktohen qoftë nga ajri i ndotur, qoftë qasja në ujë të pastër është numër i madh. Prandaj, duhet të fillojmë të flasim… Kemi ardhur në Mitrovicë për shumë arsyeje sepse ka pas shumë qytetarë që na kanë ftuar dhe për shkak se e dimë të kaluarën industriale të Mitrovicës e cila ka qenë edhe e lavdishme, por në anën tjetër ka lënë pasoja të mëdha në ambientin që jemi rritur shumë prej nesh dhe e treta për të shprehur përkrahjen tonë të plotë për Mitrovicën që të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që çështjen e ambientit ta rregullojmë shumë më mirë që ka qenë”, tha Osmani.

Diskutimin për ambientin e ka quajtur të çmuar edhe i pari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, derisa ka shtuar se për kontributin në ambient duhet të diskutohet në të gjitha institucionet vendit.

Ndërsa, deputeti i kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku, para të pranishmëve ka thënë se Kuvendi bën më shumë se sa Qeveria për temat e ambientit.

Çeku ka shpjeguar rëndësinë e mjedisit në jetën e qytetarëve, për çka ka thënë se këta të fundit duhet t’i ndëshkojnë kandidatët deputetë dhe ata për komuna nëse nuk e kanë mjedisin në agjendën e tyre.

E deputeti Haxhi Avdyli, ka thënë se duhet të dihet se çdo ndërhyrje në ambient është ndërhyrje dhe në shëndetësi. Avdyli theksoi se për 20 vjet ambienti në Kosovë ka pasur degradim.

Ndërsa, deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka thënë se kur luftohet për mjedisin atëherë duhet të kuptohet si luftë për të mbrojtur shëndetin dhe fëmijët.

Vizita e kryetares Osmani në Mitrovicë hyn në kuadër te “Vizitat e gjelbra nëpër komunat e Kosovës”. Para vizitës së komunës së Mitrovicës, Osmani kishte vizituar edhe komunën e Obiliqit. /kp

 

Back to top button