Osmani për presidentin Rugova: Fytyra e shtetit është ai
Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka kujtuar presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, në 16 vjetorin e vdekjes së tij.
Osmani përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se ai jo vetëm që punoi për shtetin e Kosovës, por jetoi me këtë ide.
“Sot, në 16-vjetorin e ikjes në amshim, e kujtojmë me respekt dhe përulësi atin themeltar të shtetit të Kosovës, presidentin historik, dr.Ibrahim Rugova. Ai jo vetëm që punoi për shtetin e Kosovës, por jetoi me këtë ide. Rugova kishte vizion për Kosovën atëherë, por edhe për Kosovën tash”, ka shkruar Osmani.
E para e vendit citoi në këtë shkrim citoi po ashtu një deklaratë të presidentit Rugova.
“Vizioni im është të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, të integruar në Bashkimin Evropian, NATO dhe t’i vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kishte thënë në një nga deklarimet e tij me bindjen e plotë se “pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet plotësisht”.
“Emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit. Fytyra e shtetit është ai. Shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte ai, e Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet”, ka shkruar Osmani.
Zyra e presidencës ka njoftuar se sot në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, bëjnë homazhe te varri i Presidentit historik Ibrahim Rugova.
Rugova ishte Presidenti i parë i Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar. U njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës./21Media