Osmani pret Lajçakun
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani mëngjesin e sotëm priti në takim emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Mediat u lejuan të marrin vetëm pamje vetëm në fillim, ndërsa pas takimit pritet të ketë konferencë për medie.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, Lajçak pritet të takojë edhe krerët e tjerë institucionalë dhe partiakë.
Dje i dërguari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar me liderin e VV-së, Albin Kurtin. Takimi që zgjati më pak se një orë, u mbajt në selinë e Vetëvendosjes.
Lajçak, ka thënë se kryetari i VV-së, Albin Kurti e di se Bashkimi Evropian dhe Bashkësia ndërkombëtare presin vazhdimin e dialogut dhe kjo nuk është gjë e re për të. Ndërsa, Kurti ka thënë se nuk e mohon rëndësinë e dialogut me Serbinë, por ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe i sinqertë. Kreu i Vetëvendosjes tutje nuk ka dhënë datë se kur mund të rifillojë dialogu.
Pas Kosovës, Lajçak do të qëndrojë për vizitë në Serbi më 3 dhe 4 mars, dhe në Mal të Zi më 4 dhe 5 mars./21Media