Osmani reagon pas miratimit të rezolutës kundër referendumit të Serbisë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mirëpritur konsensusin mes grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës dhe miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Osmani ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës njëzëri refuzojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në kundërshtim me normat kushtetuese dhe praktikën ndërkombëtare.
“Do të vazhdojmë bashkëpunimin me aleatët tanë në fuqizimin e sovranitetit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës ndaj veprimeve destabilizuese dhe të njëanshme të Serbisë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot (15 janar) kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese./21Media