Osmani: Rusia dhe Serbia po tentojnë ta destabilizojnë Kosovën dhe Ballkanin

Presidentja, Vjosa Osmani është takuar sot me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, ku kanë diskutuar për situatën aktuale politike jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë pas agresionit ushtarak të Federatë Ruse ndaj Ukrainës.
Në këtë kontekst Osmani ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është më i domosdoshëm se kurrë për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon. Madje ka shtuar se Rusia dhe Serbia si aleate e saj po tentojnë ta destabilizojnë Kosovën dhe Ballkanin.
Sipas Presidentes, Rusia dhe shtetet e tjera autokratike përmes marrëveshjeve me Serbinë po përpiqen ta shtrijnë ndikimin e tyre të dëmshëm në rajon.
Ndërsa, kryeparlamentari, Xhaferi ka deklaruar se Maqedonia  Veriut e mbështet pa rezervë anëtarësimin e Kosovës në NATO, në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Xhaferi biseduan edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror.
Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve fqinje, në këtë takim u vlerësuan të mira, teksa shqiptarët që jetojnë në Maqedoni të Veriut u cilësuan urë e fortë lidhëse me Kosovën./21Media

Back to top button