Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e legjendës së boksit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për vdekjen e legjendës së boksit kosovar, Xhevdet Peci
“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ikjen e hershme të legjendës së boksit kosovar, z.Xhevdet Peci. Ai na përfaqësoi denjësisht në këtë sport dhe na bëri krenar në kohëra të vështira. Pas vetes la një histori të bujshme në sportin e boksit duke qenë disa herë radhazi kampion, ndaj do të mbetet model për brezin e tashëm dhe të ardhshëm në këtë disiplinë sportive. Do të jetojmë përjetësisht me kujtimin e dorëzës së hekurt të Xhevdet Pecit. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit sportiv!”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentes Osmani.
Boksieri i njohur kosovar, Xhevdet Peci ka vdekur dje në SHBA, pas një sëmundje të rëndë, në moshën 67-vjeçare.
Xhevdet Peci, i njohur si “Grushti i hekurt”, ishte një nga boksierët më të mëdhenj që ka pasur Kosova. Ai ishte shpallur pesë herë kampion me klubin e boksit Prishtina, nën urdhrat e trajnerit Lah Nimani./21Media

Back to top button