Osmani: Shpronësimet vazhdojnë në përputhje me ligjin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Drenas ka folur edhe për shpronësimet në veri të Kosovës, ku tha se çështja e shpronësimeve ka rregulla të caktuara që përcaktohen me ligjet tona dhe me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Tutje, ajo shtoi se shpronësimet në veri të vendit po vazhdojnë në përputhje me ligjin.
“Çështja e shpronësimeve për çdo qytetarë të Republikës së Kosovës pavarësisht etnisë duhet të analizohet vetëm me kontest të përputhshmërisë me ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Çështja e shpronësimeve ka rregulla të caktuara dhe këto rregulla jo vetëm që përcaktohen me ligjet tona por edhe me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për aq sa respektohen këto standarde dhe është një test pesë hapësh i paraparë me gjykatë nga vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Përderisa respektohet ky standard dhe të gjithë pesë hapat janë aplikuar kjo nënkupton që është zbatuar edhe ligji ynë edhe kërkesat tona kushtetuese dhe edhe kërkesat e standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe shpronësimet vazhdojnë në përputhje me ligjin”, iu përgjigj Osmani pyetjes së RTV21 gjatë konferencës së përbashkët me Lladrovcin.
Kujtojme se Qeveria e Kosovës ka marrë para disa ditësh vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Zubin Potok e Leposaviq, të cilat do të shërbejnë për projekte infrastrukturore me interes publik. Kjo është bërë në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të Gjykatave të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, sipërfaqja e tokës që është objekt i shpronësimit llogaritet të jetë mbi 100 hektarë, 83 prej të cilave në komunën e Leposaviqit, ndërsa të tjerat në komunën e Zubin Potokut, përkatësisht në Zubin Potok, Jasenovik, Banjë, Veli Breg dhe Bërnjak./21Media