Osmani: Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Gjinekologjisë në QKUK.

Osmani ka thënë se sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë.

“Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë. Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Tutje, Osmani ka shkruar se përgjigje për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal.

“Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë! Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë. Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal. Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!”, ka shkruar Osmani.

Një grua është vrarë sonte rreth orës 18:00 në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, në Prishtinë. Pas marrjes së informacioneve, njësitë e Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Ndërsa, sipas Policisë, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, një grua rreth 35-vjeçare./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button