Osmani takoi ministrin e Jashtëm të Gjermanisë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare sot ka takuar ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas.

Marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve, Osmani i ka vlerësuar të shkëlqyeshme dhe ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejmë të tyre. Ajo ka përmendur synimin e Kosovës për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare, ndaj ka kërkuar mbështetjen gjermane.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u bërë pjesë e BE-së, OKB-së, por edhe e shumë organizatave ndërkombëtare. Shpresoj që Gjermania të marrë në konsideratë rolin udhëheqës në mbështetjen tonë për të arritur këtë qëllim”, ka thënë Osmani.

Në takim është biseduar edhe për procesin e dialogut me Serbinë.

Presidentja ka potencuar se rezultati përfundimtar i negociatave duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues në Kosovë, sikurse edhe e kufijve të tashëm. Sipas saj, Kosova është palë konstruktive në këtë proces.

Në këtë kontekst, ka theksuar se perspektiva e Kosovës është në BE, dhe se Procesi i Berlinit është shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke përjashtuar çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE -së dhe më këtë proces.

 Osmani në takim me ministrin Mass ka potencuar se e mirëpret përfundimin e shpejtë të marrëveshjes dypalëshe për njohjen e patent-shoferëve të Kosovës.

Ndërkaq sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Presidentja ka përmendur marrëveshjen për transportin e mallrave, heqjen e taksimit të dyfishtë midis dy vendeve, si dhe organizimin e një forumi të përbashkët investimesh./21Media

Back to top button