Osmani: Themelimi i muzeut një hap i vogël në krijimin e kujtesës për nënën tonë të madhe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në përurimin e Shtëpisë Muze të Nënë Terezës në Prizren. Me këtë rast Osmani tha se është nder i madh për të marr pjesë në përurimin e ekspozitës kushtuar Nënë Terezës.
“Përurimi i kësaj ekspozite, sikurse edhe vetë themelimi i muzeut, është vetëm një hap i vogël në krijimin e kujtesës kolektive për nënën tonë të madhe, e cila përkushtimin ndaj njeriut e lidhi me përkushtimin ndaj hyjit, duke krijuar simbiozën e dashurisë së përhershme, të cilën pastaj ia dhuroi tërë njerëzimit si shembull të përkryer personal. Përurimi i kësaj ekspozite, këtu, në tokën e familjes së Nënës sonë Terezë, është shenjë e kujdesit që ne, bashkëkombësit e saj, e tregojmë ndaj së shenjtës Agnesë, por edhe ndaj një familjeje, e cila ishte simbol i bujarisë, mikpritjes e ofrimit të dashurisë ndaj secilit, posaçërisht ndaj më të varfërve. Prandaj, më lejoni që të falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe të gjithë ata që u kujdesën që sot ne të mund ta përurojmë këtë ekspozitë”, tha ndër tjera Osmani.
Ajo tutje shtoi se kujdesi ndaj trashëgimisë së Nënës Terezës nuk është kujtesë e cila ndërlidhet vetëm me përkatësinë e saj etnike, ose me madhështinë e veprës së saj, por është kujdes para së gjithash ndaj shembullit të cilin ajo ia dhuroi njerëzimit. “Nëpërmjet këtij shembulli personal ajo u shndërrua në simbol universal, duke e dëshmuar karakterin e popullit të saj, sipas të cilit nderi, bujaria e ndihma për të vobektin janë parime morale e zakonore”.
Sipas Osmanit, përurimi i kësaj ekspozite, në muzeun që do ta bartë vulën e veprës së saj, ka peshë të veçantë kulturore e humane.
“Ne si bashkëqytetarë e bashkëkombës të shenjtës sonë e shumë  vizitues të huaj do të kthehen këtu për t’i gjetur të dëshmuara rrënjët e familjes së Nënë Terezës e vatrën e cila rriti breza të tërë familjarësh të saj. Ai do të shërbejë këtu e tutje edhe si një qendër pelegrinazhi për të gjithë ata të cilët duke kërkuar mirësinë në jetë e shembujt e mëdhenj të altruizmit e të dashurisë ndaj njeriut, do të vijnë këtu të mësojnë se si një vatër e vogël në një vend të vogël, në të cilin jeton një popull me zemër të madhe, ia dhuroi botës shembullin universal të përvujtnisë e të sakrificës së pamatshme për njeriun”, shtoi Osmani.
Në këtë muze do të gjendet jo vetëm historia e familjes Bojaxhiu.
“Pra jemi krenar që botës ia kemi ofruar shembullin e gruas  shqiptare të quajtur, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, modelin e gruas së butë por të vendosur, e përkushtuar skajshmërisht ndaj njerëzve dhe e dashur për të gjithë, e gatshme që çdo herë të sakrifikojë për të tjerët; njeri që e njeh dhimbjen dhe provon që t’ua shërojë atë të tjerëve, me fjalë të ëmbla e me vepra, sikurse thoshte edhe vet ajo, “vepra të vogla, por me dashuri të madhe””, tha ndër tjera Osmani./21Media 

Back to top button