Osmani thirrje qytetarëve ta rrisin kujdesin ndaj zjarreve
Prej disa ditësh në disa rajone të Kosovës është rënduar situata nga zjarret.
Presidentja Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në Facebook, ka bërë thirrje për kujdes, në këtë kohë kur temperaturat ekstreme kanë rritur rrezikun nga zjarret.
Ajo ka thënë se të gjithë qytetarët kanë përgjegjësinë që ta rrisim kujdesin për ta ulur rrezikun nga shtrirja e zjarreve.
“Institucionet e vendit me kapacitet të plotë po përpiqen për zvogëlimin e pasojave nga zjarret, por kjo përpjekje domosdoshmërisht kërkon edhe mbështetjen e qytetarëve. Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i, po bëjnë të pamundurën, por të gjithë kemi përgjegjësinë që ta rrisim kujdesin për ta ulur rrezikun nga shtrirja e zjarreve. Djegia e hamulloreve konsiderohet ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve, ndaj qytetarët duhet të përmbahen nga veprime të tilla, të cilat shkaktojnë rrezik të përgjithshëm. Kosova është shtëpia jonë, ndaj të gjithë duhet të mobilizohemi ta ruajmë mjedisin dhe t’i ruajmë jetët e njerëzve tanë”, ka shkruar Osmani./21Media