Osmani thotë se anëtarësimi në KE do të ndikonte në përmirësimin e sistemit të drejtësisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Vitore Tusha, kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka – Nimani dhe një delegacion të përbërë nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë nga të dy vendet.
Gjatë këtij takimi, Osmani bëri thirrje për bashkëpunim në mes të dy vendeve në fushën e drejtësisë përmes ndarjes së praktikave më të mira, nga e cila do të përfitojnë qytetarët e të dy shteteve.
Më tej, ajo theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës për sistemin e drejtësisë me të cilin qytetarëve do t’u mundësohet edhe një shkallë për t’i mbrojtur të drejtat e tyre. Sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ndikonte direkt në cilësinë e vendimeve gjyqësore dhe rrjedhimisht në përmirësimin e sistemit të drejtësisë.
Anëtarët e këtij delegacioni takuan presidenten pas mbajtjes së konferencës dy ditore për shkëmbim të praktikave ndërmjet sistemeve të drejtësisë të të dy vendeve./21Media