Osmani u dërgon telegrame ngushëllimi familjeve të të vrarëve në Gllogjan

 
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka dërguar sot telegrame ngushëllimi familjeve: Mustafaj, Hamzaj e Gjokaj, anëtarë të të cilëve janë vrarë një ditë më parë në një sulm të armatosur në Gllogjan.
“Lajmin për vrasjen e më të dashurve tuaj, Gentianës, Ledionit dhe Ganiut, e kam pranuar me dhimbje të madhe. Prandaj, më lejoni që si qytetare e këtij vendi, si nënë dhe si Presidente e Republikës së Kosovës, ta ndaj me ju dhimbjen e thellë për vdekjen e parakohshme të tyre”, thuhet në telegramet dërguar familjeve. Sipas Presidentes, vrasja e Gentiana Mustafajt, Ledion Hamzajt dhe Gani Gjokajt është akt mizor dhe ngjarje e trishtë, e cila i ka prekur zemrat e çdo qytetari të vendit.
Presidentja Osmani ka uruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten, teksa ka ftuar organet e rendit që sa më shpejtë të jetë e mundur, autorët e krimit t’i sjellin para drejtësisë.
Mbrëmjen e djeshme, si pasojë e të shtënave me armë zjarri në drejtim të autobusit në fshatin Gllogjan të Deçanit kanë mbetur të vdekur tre persona, ndërsa një është plagosur. Dy nga të vdekurit janë nxënës, ndërsa personi i tretë është shoferi i autobusit./21Media

Back to top button