Osmani: Vaksinimi është akt patriotik, vaksinohuni

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me të parë rritjen e rasteve pozitive me Covid-19, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.
“Rritja e numrit të të infektuarve me variantin Delta kërkon shtimin maksimal të kujdesit, sepse po s`u vaksinuam të gjithë, të gjithë do të jemi humbës. Secili prej nesh ka përgjegjësi në raport me tjetrin për t`i zvogëluar dhimbjet, e para se gjithash humbjet”, thuhet në postimin e Osmanit, në Facebook.
Tutje, Osmani e ka potencuar vaksnimin si akt patriotik, i cili tashmë është më shumë se personal.
“Teksa shqetësimi për variantin e ri të virusit rritet, ne duhet t`i shtojmë përpjekjet për vaksinim. Është akt patriotik që secili prej nesh të vaksinohet sa më parë të jetë e mundshme. Vaksina ka mjaftueshëm për të gjithë, ndaj duhet të ndajmë pak minuta nga dita për ta bërë një veprim, i cili në kohën e sotme është më shumë se sa personal. Për të mirën e të gjithëve, për sigurinë tonë, për mbarëvajtjen e shtetit tonë, vaksinohuni të gjithë! Ne duhet dhe mund të ngadhënjejmë ndaj çfarëdo virusi!”, bëhet e ditur gjithashtu.
Kujtojmë se, vetëm gjatë ditës së sotme numri i të infektuarëve me Covid-19 ka prekur shifrën 888./21Media
 

Back to top button