Osmani: Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se vrasësit e Liridona Murselit duhet të dënohet, ndërsa vrasjen e saj e ka quajtur krim monstruoz.

Ajo ka theksuar se është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj.

“Femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive”, ka thënë ajo

Osmani ka deklaruar se duhet veprim i shpejtë dhe vendimtar për t’u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin.

“Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme”, ka thënë ajo.

Back to top button