Osmani: Pikënisja për Asociacionin duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës

(Lajm i përditësuar)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se pikënisja për statutin e Asociacionit duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës dhe jo propozime nga Serbia që kanë synim krijimin e një Republike serbe në Kosovë.
Në një intervistë për “Atlantic Council” në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani, bëri thirrje që procesi i dialogut të mos bjerë në kurthin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilin e quajti edhe autokrat.
“Sa i përket statutit të propozuar nga ish ekipi menaxhues, ai është një model për një Republikë serbe plus, që tregon se Serbisë nuk i interesojnë të drejtat e komuniteteve pakicë, por i intereson të ketë një instrument me të cilin do të vazhdojë ta sfidojë integritetin territorial dhe sovran të Kosovës, e po ashtu edhe shtetësinë e saj, ku natyrisht vizioni që është propozuar nga Qeveria e Kosovës për parimet mbi të cilat do të hartohej statusi, përcjellë vendimet e Gjykatës Kushtetuese në 2015 dhe po ashtu qëndrimin e shkruar të ShBA-së, që është publikuar nga Chollet dhe Escobar. Pra, pikënisja do të duhej të ishte Kushtetuta e Kosovës dhe jo një propozim nga Serbia, që synon krijimin e një republike tjetër si ajo e Dodikut në rajonin tonë, që ka për qëllim të shkatërrimit të mëtutjeshëm dhe të na kthej të gjithëve në të 90-tat. Kjo do të duhej të refuzohej unanimisht si një model i rrezikshëm dhe mos të shihej si bazë për negociata”, tha ajo.
Osmani shtoi se Kosova është e gatshme të ofrojë modele për Asociacionin, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe sistemet më të mira evropiane.
Për këtë ajo tha se grupe ekspertësh po punojnë tash e një kohë të gjatë që dhjetë parimet që janë propozuar si draft-vizion më 2 maj në Bruksel, të bëhen dispozita konkrete kushtetuese dhe ligjore.
“Kemi shumë grupe ekspertësh që po punojnë tashmë një kohë të gjatë, për t’u siguruar që Kushtetuta e Kosovës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe sistemet më të mira evropiane, të cilat përmenden si instrumente të Këshillit të Evropës, të jenë të studiuara në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që këto dhjetë parime që u propozuan më 2 maj, të bëhen dispozita konkrete ndërkohë. Por, deri më tani nuk kemi një datë konkrete se kur do të zhvillohen takime të tilla në Bruksel. Por, Kosova është e gatshme t’i ofrojë të gjitha këto modele për t’u siguruar që të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë komunitetet pakicë, të ndjehen të sigurt dhe të përfshirë, dhe të kenë një mbrojtje të theksuar të të drejtave të tyre njerëzore dhe të pakicave”, shtoi Osmani.
E pyetur për mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, ajo tha se duhet gjetur një rrugë për të shkuar përpara. Por, theksoi se Kisha Ortodokse në Kosovë i ka gjitha siguritë se askush nuk do t’ia prek pronat.
“Duhet të gjetur një rrugë për të shkuar tutje, por ne kemi dhënë të gjitha siguritë Kishës Ortodokse se askush nuk do t’iu prek pronat. S’ka pasur incidente serioze në të kaluarën, kanë qenë të mbrojtur nga Policia e Kosovës. Me të vërtet e çmojmë rolin e të gjitha feve në Kosovë”, tha ajo.
Ndërkaq, theksoi se nga partnerët ndërkombëtar kanë marrë garanci se Kosova do të përkrahet për t’u përfshirë në Partneritetin për Paqe në NATO.
“Kosova ka marrë garanci prej partnerëve se nëse pranon marrëveshjen e dialogut që është arritur në Ohër, një prej çështjeve është se do të marrim përkrahje, sidomos për partneritetin për paqe dhe anëtarësim në NATO”, përfundoi ajo.
Më 2 maj, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel është prezantuar draft-statuti për Asociacionin, i përpiluar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.
Ky ekip është shkarkuar një ditë më vonë, nga autoritetet kosovare, përkatësisht nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Osmani: Vuçiqi është kopje e Putinit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është një kopje e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Kështu ka thënë ajo në një intervistë në “Atlantic Council”, ku ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në dialogun Prishtinë-Beograd, rrugën euroatlantike të Kosovës dhe vizionin e saj për të ardhmen e Kosovës.
“Është një moment vërtet përcaktues për demokracinë. Historikisht Rusia ka treguar interes për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor. Përse Rusia mund të jetë e suksesshme në këtë është sepse në Evropën Juglindore ata kanë një shtet përfaqësues dhe ai është Serbia”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka thënë se ekziston gjithashtu një ndikim rus në rritje në Serbi për sa i përket të gjithë sistemit të armëve.
“Në të njëjtën kohë mënyra se si përdoren të gjitha armët gjatë gjithë kohës kur Serbia dëshiron të krijojë kriza. Nëse e shikojmë rolin e Rusisë, nuk mund të shohim veçmas se si po sillet Serbia, e cila është thjesht një kopjim i veprimeve të Putinit. Ndërkohë që Vuçiq ndonjëherë thotë gjërat e duhura, ai kurrë nuk e mbanë fjalën. Ai bën krejt të kundërtën. Prandaj, shikoni veprimet e tij, ai ka shumëfishuar nivelin e bashkëpunimit me Rusinë, ka një regjim autokratik dhe i gjithë krimi i organizuar po përdoret për të destabilizuar fqinjët”, ka thënë Osmani.
Osmani në SHBA: Dialogu të mos bjerë në kurthin e Vuçiqit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë në “Atlantic Council” në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka bërë thirrje që procesi i dialogut të mos bjerë në kurthin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në intervistën e dhenë të mërkurën, ajo e ka cilësuar tejet të rrezikshme qasjen “që në dialog të normalizohet Vuçiqi, ashtu që të duket si lider proevropian”.
Duke folur për dialogun, Osmani ka thënë se fillimisht duhet të dihet se me kë ka punë Kosova.
“Së pari, përderisa dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është tej mase i rëndësishëm, me synimin për njohje reciprokje, nocioni ‘normalizim raportesh’ po përdoret nga BE-ja për shkak të statusit neutral. Synimi është ‘normalizimi’, e procesi s’duhet të shfrytëzohet për ta normalizuar Vuçiqin që të duket si lider proevropiane, e që s’është. Le ta themi të vërtetën. Po përballemi me një autokrat”, ka thënë Osmani duke shtuar se Serbia është shtet që s’ka kërkuar kurrë falje për gjenocidin e se ngel e vetmja palë që duhet t’i bëhet thirrje për angazhim në dialog.
“Janë gati 40 marrëveshje të arritura, e lista e shkeljeve të Serbisë është shumë, shumë e gjatë. Vetëm në javën e shkuar, kanë bërë tetë shkelje të marrëveshjeve të fundit”.
Ajo ka thënë se janë ekstremisht të rrezikshme përpjekjet që nga marrëveshjet e fundit fokusi të jetë tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe, mbi çështjet tjera.
“Nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit, që është që të shtyhet dhe zvarritet dialogu”, ka thënë Osmani.
Sa i përket drafstatutit të Ekipit Menaxhues për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, presidentja ka deklaruar ai ka qenë “model Republika Sërpska Plus”. Sipas saj, kjo tregon që Serbisë nuk i interesojnë të drejtat e komuniteteve, por synon ta ketë instrumentin për ta sfiduar shtetësinë e Kosovës. Osmani ka thënë se gjithçka duhet të niset me pikë fillestare Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin.
Ajo ka lavdëruar raportet e Kosovës me SHBA-në, ndërsa ka kërkuar përkrahjen politike për pranimin në NATO. Ka thënë se siç është vepruar me lejimin e Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, njëjtë duhet t’i mundësohet anëtarësimi në Partneritetin për Paqe, si paraanëtarësim në NATO. Osmani ka thënë se Kosova ka marrë garanci nga partnerët ndërkombëtarë se do ta mbështesin për anëtarësim në Partneritetin për Paqe dhe në NATO.
Ajo ka shtuar se duhet të ketë vëmendje të shtuar në Ballkan, pasi që “Serbia është satelit i Rusisë”.