OVL e UÇK-së: Të ftuarit e Gjykatës Speciale të mos bashkëpunojnë me Prokurorinë Speciale

OVL e UÇK-së vazhdimisht ka kundërshtuar krijimin e Gjykatës Speciale

Organizata e Veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vazhdimisht ka kundërshtuar krijimin e Gjykatës Speciale, përmes së cilës do të gjykohen luftëtarët e UÇK-së. Ata e konsiderojnë si një gjykatë diskriminuese që gjykon vetëm shqiptarët, por jo edhe serbët që kryen krime në Kosovë. Në një komunikatë për medie të OVL-së së UÇK-së, kundërshtohet intervistimi i luftëtarëve të UÇK-së.

“OVL UÇK, kundërshton marrjen në biseda informative të luftëtarëve të UÇK-së me status të padefinuar, nga ana e Prokurorisë Speciale, e cila ka për qëllim që nga këto biseda informative, të siguroj prova e që pastaj të akuzoj luftëtarët e UÇK-së”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj organizate, bisedat informative kanë qenë praktikë e ish sistemit jugosllav, i cili në të kaluarën i ka përdorur ato për të ngritur akuza dhe ka organizuar me qindra gjyqe nga të cilat u dënuan me mijëra intelektual dhe të rinjë e të reja shqiptarë.

“Duke pasur parasysh këtë përvojë të hidhur nga e kaluara, e cila fatkeqësisht po përsëritet edhe tani, Organizata e Veteranëve të UÇK-së ju bën thirrje të gjithë të ftuarve nga Gjykata Speciale, të mos pranojnë që të bashkëpunojnë me Prokurorinë Speciale, pra të mos japin deklarata pranë saj, e cila nuk ka prova, por përmes këtyre bisedave informative informative po synon që t’i nxjerr ato e për të dënuar luftëtarët e UÇK-së”, thekson në thirrjen e saj OVL e UÇK-së.

Theksohet se nëse Prokuroria Speciale ka mbledhë prova të mjaftueshme, ajo le t’i provojë me akuzë gjatë shqyrtimit kryesor në seanca gjyqësore, ‘e jo ne t’i shërbejmë asaj për t’i siguruar prova kundër vetes’.

Ndërkohë që sot, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, u paraqit për intervistim në Prokurorinë Speciale në Hagë, në lidhje me pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Në një deklaratë të shkurtër për gazetarë, para intervistës, Mustafa tha se “do t’iu përgjigjet të gjitha pyetjeve të prokurorit”.

Në Hagë, këtë javë do të intervistohet edhe Sami Lushtaku, po ashtu ish-komandant i UÇK-së. Lushtaku, dje pak kohë para nisjes ka thënë se nuk e di se për çfarë do të intervistohet nga Prokuroria Speciale.

Back to top button