Pacolli: Ëndrrën e heronjve, do ta jetësojmë me vepra

Gjatë hapjes së fushatës në Prishtinë

Sot, në një tubim Aleanca Kosova e Re, bashkë me partnerët e koalicionit nga LDK-LD-Alternativa, ka hapur fushatën zgjedhore në Prishtinë, me ç ‘rast janë prezantuar edhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nga radhët e koalicionit.

“Kjo aleancë e shpresës, është e ndërtuar me synime dhe parime fundamentale. Të ndërtojmë një shtet të fortë ekonomikisht, të ngrisim standardin jetësor të qytetarëve e bashkë me të edhe vetëdijen. Ne do ta ndërtojmë një vend për qytetarët, ku të gjithë do të kenë të drejta të barabarta”, ka thënë ai.

Presidenti Pacolli ka ripërsritur se baza e këtij koalicionit do të jetë rritja ekonomike mbi 8% dhe krijimi i mbi 70 mijë vendeve të reja të punës. “Në mandatin e parë do të përgjysmojmë importin nga Serbia, ndërsa në vitin e parë të qeverisjes, të rinjve do t’iu kthehet perspektiva pasi që ata do të kenë mundësi të punësohen. Entet e punësimit do te kthehen ne grupe pro-aktive, që do te merren me shqyrtimin e ideve brilante të cilat burojnë nga rinia”, ka thënë Pacolli.

Lideri i AKR-së ka shtuar më tej se zgjedhja e koalicioni i shpresës, do ta përmirësoje imazhin e Kosovës në botë dhe kjo do të ndikojë që njohjet për shtetësinë e saj të rriten. Pacolli gjatë fjalimit të tij në tubimin qendror të Fushatës në Prishtinë, ka folur edhe për bashkatdhetarët që jetojnë në diasporë. Ai ka thënë se me koalicionin AKR-LDK-LD-Alternativa, diaspora do të jetë e përfaqësuar edhe në proceset vendimmarrëse në instutucionet e Kosovës.

Ndërsa, kandidati i koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se ky koalicion është bashkuar për t’u shërbyer qytetarëve me nder dhe me duar të pastra, me profesionalizëm e me dinjitet.

Back to top button